Mbërrijnë 200 mijë vaksinat kineze, Filipçe: Do të imunizohet numër i madh qytetarësh

30.04.2021 15:04

Nëpërmjet vijës ajrore, Pekin – Stamboll – Beograd – Shkup....

Nëpërmjet vijës ajrore, Pekin – Stamboll – Beograd – Shkup arritën  200 mijë vaksinat kineze të shumëpritura  nga  kompania  Sinofarm.

Planifikimi i autoriteteve shëndetësore është që vaksinat   të shpërndahen në Arenën “Boris Trajkovski” për qytetarët  e Shkupit si dhe në qendrat sportive  të   gjashtë qyteteve tjera të vendit, Kumanovë, Tetovë, Manastir, Ohër, Shtip, dhe Kavadar.

Planifikohet që në ditë të imunizohen  10 mijë qytetarë në vende  të ndryshme ndërsa prioritet do të kenë ata që janë paraqitur për vaksinim dhe që  janë në pritje.

Ministri  i shëndetësisë Venko Filipçe  beson se deri në fillim të verës do të ketë numër të madh të qytetrëve të vaksinuar e që do të kontribojë në ndryshimin e pasqyrës së gjendjes epidemiologjike.

“Në punkte do të ketë vaksina të ndryshme.  Shembull,  këtë javë në dispozion janë vaksinat kineze dhe ato fajzer. Mendoj se nuk ka nevojë të vihet theksi  në zgjedhjen e vaksinës sepse të gjitha janë me cilësi të njëjtë, nuk ka kurrfarë kundërindikacioni. Cila vaksinë të qëllojë  në ato momente  mund të merret  pa asnjë brengë” – tha Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.

Kjo porosi  kineze për vendin tuaj është kapitull i ri  i raporteve mes  popujve tonë, tha ambasadori kinez në vend, Xhang Suo.

“Kina ka siguruar vaksina të nevojshme për më shumë se 100 shtete dhe organizata ndërkombëtare. Arritja e vaksinave kineze në RMV është hap konkret i Kinës në përmbushjen  e deklaratës  për sigurimin e shëndetit të përbashkët të njerëzimit” – u shpreh Ambasadori kinez në vend, Xhang Suo.

Në maj pritet të arrijnë edhe 500 mijë  vaksina  nga kompania prodhuese  kineze SINO-VAK si dhe 100  mijë të tjera,  donacion nga kompania SINO – farm. (Nermin Mulaki – Fejzullahu, TVM2)