Rekord infektimesh në Indi, në 24 orët e fundit mbi 400 mijë njerëz të infektuar

01.05.2021 15:04

Situata me pandeminë në Indi vazhdon....

Situata me pandeminë në Indi vazhdon të jetë e rënduar. Në 24 orët e fundit, në këtë vend janë regjistruar mbi 400 mijë njerëz të infektuar, që paraqet numrin më të lartë deri më tani. Po ashtu është bërë e ditur se 3 mijë e 523 njerëz vdiqën për shkak të virusit Korona.

India njëherit ka nisur të zbatojë planin e vaksinimit të 600 milionë të rriturve, ndonëse disa rajone kanë thënë se kanë doza të kufizuara, apo nuk kanë fare vaksina kundër virusit Korona, edhe pse India është shteti që prodhon më së shumti vaksina në botë.

“Këtu jam edhe me dy shokët e mi, kam informuar sa kam mundur njerëz që të vijnë që vaksinohen. Shpresoj që një numër i madh i njerëzve do të vaksinohen për një kohë të shpejtë. Nuk ka me rëndësi se cilën vaksinë do e marrin.”,- deklaroi një qytetar. 

“Ndjehem i frikësuar nga kjo situatë, sapo jam vaksinuar me dozën e parë.”,- tha një qytetar.

“Gjysma e familjes sime janë pozitiv me Covid-19 dhe të gjithë duan që të vaksinohen. Kjo nuk do të na mbrojë krejtësisht, por edhe nëse infektohemi do të shërohemi më shpejtë.”,- u shpreh një qytetare.                                                                        

Ndërkohë, SHBA kanë marrë vendim për të kufizuar udhëtimin nga India, duke nisur nga 4 maji, për shkak të rritjes së madhe të shkallës së infektimeve dhe paraqitjes së varianteve të reja.

Këtë javë, Australia ndaloi të gjitha fluturimet nga India. Njëherit SHBA-të kanë thënë se do të dërgojnë pajisje mjekësore në Indi, në vlerë të 100 milionë dollarësh, si dhe do të dërgojë materialet e veta për vaksina, çka do të mundësojë prodhimin e 20 milionë dozave. Përveç SHBA-së, më shumë se 40 shtete në botë kanë thënë se do ta ndihmojnë Indinë, të përballet me krizën shëndetësore. (Rejhane Bushi Metaj, TVM2)