Për shkak të festës së Pashkëve, u hoq ora policore
Për shkak të festës së Pashkëve....

Për shkak të festës së Pashkëve, sonte nuk ka orë policore, por tarracat e kafeneve do të punojnë vetëm deri në orën 20:30. Ora policore kthehet sërish të dielën nga ora 21 deri në orën 5 të mëngjesit.
Kryeministri, Zoran Zaev, dhe ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe, kanë apeluar te qytetarët që me rastin e festës së Pashkëve, që përkon edhe me festën e punëtorëve - një majin, qytetarët të shmangin grumbullimet duke u përmbajtur nga vizitat nëpër kisha dhe manastire dhe festat t’i presin në shtëpi me familjet.
“Nëse megjithatë vendosni të shkoni në kishë, dëgjoni rekomandimet e priftërinjve dhe bëjeni atë me kujdesin më të madh me respektimin e masave për mbrojtje, për shkakun tuaj dhe për shkak të të tjerëve.”,- ka shkruar Zaev në Fejsbuk.
Sonte myslimanët falin teravinë e parë
Heqja e orës policore për natën e sotme do të jetë edhe një mundësi për besimtarët myslimanë të vendit që të falin teravinë e parë dhe të vetme gjatë muajit të Ramazanit, i cili ka filluar prej 20 ditësh. Orë policore nuk do të ketë edhe natën mes 13 dhe 14 majit me rastin e festës së Bajramit.
Masat aktuale do të jenë në fuqi deri më 15 maj kur Komisioni për Sëmundje Infektive do të bëjë vlerësim të ri të gjendjes epidemiologjike.
Ndërkohë, Ministria e Punëve të Brendshme njofton se natën e kaluar 70 persona nuk kanë respektuar orën policore. Ndërsa mbrëmë në rrugën “Xhon Kenedi” në Çair është mbyllur një lokal dhe janë arrestuar 15 persona.
Siç bëjnë të ditur nga MPB, shkak për mbylljen e këtij lokali është se ka punuar jashtë orarit të lejuar për punë. (Gyltene Sinani, TVM2)
