Zaev: Kemi siguruar ruajtje të mijëra vendeve të punës
Në ditën ndërkombëtare të punëtoreve kryeministri, Zoran Zaev....

Në ditën ndërkombëtare të punëtoreve kryeministri, Zoran Zaev, ka deklaruar se në kushte pandemie prioritet për qeverinë që drejton ai i ka qenë ruajtja e vendeve të punës. Kemi ofruar mbështetje për të shpëtuar mijëra vende pune, që mijëra punëtorë të marrin paga të rregullta dhe të sjellin të ardhura për familjet e tyre, ka theksuar Zaev.
“Vendet e punës në radhë të parë! Ky ishte qëllimi kryesor i takimeve të para me ekipet ekonomike kur filloi pandemia. Dhe unë jam i kënaqur që qëllimi ynë nuk kishte shumë kundërshtarë- përkundrazi, përmes konsultave të përbashkëta me kompani dhe sindikata, ne arritëm t’i mbajmë angazhimet e punës së shumë prej qytetarëve tanë dhe kështu ta mbajmë ekonominë gjallë dhe dinamike.”,- deklaroi kryeministri i RMV-së, Zoran Zaev.
Xhaferi: Detyrë e politikanëve të sigurojnë pagë dinjitoze
Kryeparlamentari Talat Xhaferi, ka kujtuar, se është detyrë e politikanëve të sigurojnë pagë dinjitoze për punëtorët.
“Në Ditën ndërkombëtare të punës, të rikujtojmë edhe njëherë se është detyrë e politikanëve të sigurojnë respektim të mundit njerëzor, pagë dinjitoze dhe vlerësim të punëtorit, por edhe të parandalojmë eksploatimin, mobingun, pabarazinë në pagat ndërmjet burrave dhe grave.”,- ka shkruar Xhaferi.
Pendarovski: Paga dinjitoze për punëtorët, është detyrimi ynë
E presidenti, Stevo Pendarovski ka vlerësuar, se sigurimi i pagës dhe punës së denjë për punëtorët, është detyrim i funksionarëve të shtetit.
“Urime 1 Majin, Ditën e punës! Puna e paga dinjitoze dhe respektimi i të drejtave të punëtorëve janë detyrimi dhe përgjegjësia jonë”, ka shkruar Pendarovski.
Mickovski: Punëtori dhe puna e tij janë zhvlerësuar
Ndërkohë, për liderin e opozitës, Hristijan Mickovski, këtë vit punëtori dhe puna e tij janë zhvlerësuar dhe nënvlerësuar si kurrë më parë.
“Ky vit është viti më i zi ekonomik për Maqedoninë. Për një vit në Maqedoni ka mbi 60 mijë të papunë të rinj, mbi 6000 kompani që kanë vënë çelësin në dyert e tyre dhe pothuajse 600 mijë njerëz jetojnë në varfëri. Për më tepër, jeta po shtrenjtohet, çmimet e artikujve ushqimorë themelorë po rriten, karburantet dhe energjia elektrike po shtrenjtohen, dhe bashkë me to edhe kostot e secilës familje. Pashpresa dhe ndjenja se ata janë lënë vetëm në baltë shënojnë këtë 1 maj.”,- ka shkruar Mickovski. (Naim Ramadani, TVM2)
