Kovid-19, 1147 persona në trajtim spitalor
Në 24 orët e fundit në vend Ministria e Shëndetësisë...

Në 24 orët e fundit në vend Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar edhe për 36 të vdekur, 14 prej të cilëve kanë vdekur nga 1 deri më 17 prill. Po ashtu nga 2 mijë e 276 të testuar janë regjistruar edhe 214 raste të reja, ndërsa 305 janë shëruar. Aktualisht në vend ka 14 mijë e 620 raste aktive. Numri i përgjithshëm i pacientëve që trajtohen në Kovid qendrat në të gjithë vendin aktualisht është 1147, ndërsa ka edhe rreth 740 shtretër të lirë.
Në 24 orët e kaluara në Kovid-qendrat në Shkup janë hospitalizuar 24 pacientë të rinj, ndërsa në repartet infektive në kryeqytet gjithsej mjekohen 473 persona të dyshuar dhe të konfirmuar për Kovid-19.
Pjesa më e madhe e tyre janë në mbështetje oksigjeni. Ministria e Shëndetësisë bën të ditur se numri i pranimeve në spitalet e vendit së fundmi po shënon rënie.
Po ashtu autoritetet shëndetësore kanë bërë të ditur se vaksinimi masiv i popullsisë pritet të fillojë nga dita e martë e javës që vjen.
Pas vaksinimit të para disa ditëve të deputetëve, javën e ardhshme do të fillojë vaksinimi edhe për të gjithë anëtarët e kabinetit qeveritar, si pjesë e infrastrukturës kritike. Ata do të vaksinohen me vaksinën kineze Sinofarm ka bërë të ditur ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
Deri tani në vend janë vaksinuar rreth 60 mijë qytetarë të moshës mbi 70 vjeç si dhe kategoria e qytetarëve të rrezikuar, policët, ushtarët, punonjësit medial, mësimdhënësit si dhe të punësuarit nëpër çerdhe. Ndërkohë rreth 210 mijë qytetarë janë paraqitur për tu vaksinuar kundër Kovid 19.
Ministri i shëndetësisë Venko Filipçe ka deklaruar se pret që interesimi i qytetarëve për tu vaksinuar do të rritet, ndërsa nuk do të mungojë edhe fushata për këtë qëllim, pasi pritet që brenda ditës të vaksinohen mbi 10 mijë persona.
Nga ana tjetër në një pjesë të barnatoreve mund të gjenden teste të shpejta që kushtojnë 560 denarë. Por, Ministria e Shëndetësisë ka sqaruar se relevante mbeten vetëm PCR testet nga laboratoritë e autorizuara.
Testet e shpejta bëhen në atë mënyrë që pas marrjes së brisit nga hunda, vendoset në test dhe për disa minuta fitohet rezultati në kushte shtëpiake. (Gyltene Sinani, TVM2)
