Më 8 dhjetor, seancë konstituive e Kuvendit të Kosovës

27.11.2014 12:48

Institucionet e reja të Kosovës, pritet të formohen në seancën e kuvendit të caktuar për 8 dhjetor, ku në rend të ditës do të jetë zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të këtij institucioni......

Më pas, PDK-ja dhe LDK-ja do të kërkojnë mandatin nga presidentja për kandidatin e tyre për kryeministër. Ndonëse ende nuk janë bërë publike të gjitha detajet e marrëveshjes ndërmjet Hashim Thaçit e Isa Mustafës, pritjet janë që kryetari i kuvendit të zgjidhet nga PDK-ja, kurse kryeministri nga LDK-ja.

Hashim Thaçi e Isa Mustafa, kanë kërkuar mbajtjen e seancës më 8 dhjetor, në mënyrë që PDK-ja dhe LDK-ja deri atëherë të harmonizojnë programin qeverisës dhe të ndajnë pozitat udhëheqëse të institucioneve dhe resorëve ministror në qeveri. Institucionet e reja do të formohen gjashtë muaj nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare.

LDK-ja fillimisht kishte arritur në një marrëveshje me Vetëvendosjen, AAK-në dhe “Nismën” për të penguar, siç thuhej, formimin e institucioneve nga ana e PDK-së, por ishin procedurat kushtetuese, sipas LDK-së, ato që e nxitën daljen e kësaj partie nga kjo marrëveshje dhe arritjen e marrëveshjes së re me PDK-në.