Pyetje deputetësh për testimin e studentëve
Ideja për aplikimin e provimit shtetëror gjatë procesit të studimeve, mbetet si pjesë e projekteve të qeverisë për reforma në arsimin e lartë......

Kryeministri, Nikolla Gruevski, në seancën për pyetje deputetësh edhe një herë sqaroi se aplikimi i provimit shtetëror ka për qëllim që të konstatojë nëse studenti ka njohuritë themelore për provimet që i ka dhënë, por edhe për të barazuar njohuritë që fitojnë studentët e profileve të njëjta në universitete të ndryshme.
“Qëllimi nuk është që të shohim nëse studenti ka njohuri për 10, 9 apo 8, por për të parë nëse ka njohuri së paku për gjashtë. Nëse nuk ka, atëherë përmes mundësive për të ridhënë provimin, studenti nxitet që të fitojë njohuri minimale dhe kur të diplomojë, sistemi të jetë i sigurt se ai student ka njohuri, të paktën për notë kaluese”- deklaroi kryeministri, Nikolla Gruevski.
Mirëpo deputetët e opozitës vlerësojnë se kjo nuk është metoda e duhur për të matur cilësinë në arsimin sipëror. Sipas deputetes, Sollza Gërceva, me këtë masë studentët duhet të paguajnë për politikat e gabuara të qeverisë në arsimin sipëror, për fakultete të paekipuara me kuadër adekuat arsimor dhe mjete ndihmëse, si dhe për normën e ulët që ndahet nga BPV-ja për arsim.
“Unë sinqerisht ju tregova se një provim të tillë, që tani e quani shtetëror, ju e keni në nenin 113 të ligjit, që e keni miratuar vetë dhe mundeni të zgjidhni nëse studenti duhet të punojë punimin e diplomës, ose të japë provimin përfundimtar. Ja ky është provimi. Nuk duhet të keqtrajtoni studentët në vit të dytë dhe në vit të katërt. Flasim për reformë me të cilën absolutisht nuk mund të matni cilësinë në arsim, veçse do të dënoni studentë”- tha deputetja e pavarur, Sollza Gërceva.
Edhe deputeti i PDSh-së, Orhan Ibrahimi, ngriti shqetësimin për cilësinë në arsim, posaçërisht në arsimin shqip në Maqedoni. Sipas tij, fëmijët shqiptarë vazhdojnë të mësojnë nga librat me përmbajtje ofenduese edhe pas ndryshimit të ligjit në vitin 2012.
“Jemi viti 2014, të gjitha tekstet shkollore janë të njëjtat, me ofendime të rënda karshi historisë, kulturës dhe traditës kombëtare. Shohim edhe momente të reja, siç është me ligj i siguruar regjistrimi në shkolla të mesme. Ajo nuk ndodh sidomos për nxënësit shqiptarë. I parandalohet mundësia për t’u shkolluar në gjuhën amtare. Janë plotë shkolla të mesme, ku nxënës shqiptarë mësojnë në gjuhën maqedonase”- u shpreh deputeti i PDSh-së, Orhan Ibrahimi.
Problemet në arsim ishin çështjet kryesore për të cilat deputetët kërkuan llogari nga qeveria në seancën për pyetje deputetësh. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
