Botë

Varhejli nis nga Serbia turin ballkanik, në fokus pandemia dhe vaksinat nga BE

03.05.2021 12:35

Eurokomisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi, me vizitën në Beograd nis sot turin në Ballkanin Perëndimor.....

Eurokomisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi, me vizitën në Beograd nis sot turin në Ballkanin Perëndimor. Vizita e tij përkon me mbërritjen në rajon të vaksinave të para të ndara dhe financuara nga Bashkimi Evropian. Të martën ai do të vizitojë Bosnjë dhe Hercegovinën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa të mërkurën Shqipërinë dhe Kosovën. Para nisjes së turneut ballkanik, Varhelyi, ka shkruar në Twiter se vizita ka për qëllim të përcjell porosinë se BE-së kujdeset për partnerët.
 
“Udhëtoj në Ballkanin Perëndimor për të përcjellë porosi të qartë: Ne kujdesemi. Ne kujdesemi për partnerët tanë dhe për punëtorët e tyre shëndetësorë të më të ndjeshmëve. Dërgesat me vaksina e konfirmojnë përkushtimin tonë të vazhdueshëm të përkrahjes, siç kemi bërë që nga fillimi. Së bashku më të fuqishëm!”,- ka shkruar Varhelyi.
 
651 mijë doza BioNTech/Pfizer do të dorëzohen në rajon në këste javore nga fillimi i majit deri në gusht, si ndihmë për të përshpejtuar fushatat e vaksinimit. Sasia e parë për Maqedoninë e Veriut që do ta sjell personalisht eurokomisari do të jetë 4680 doza të vaksinave Fajzer. Vaksinat financohen nga paketa 70 milionë euro e miratuar nga KE në dhjetor 2020 për të ndihmuar në mbulimin e kostos së vaksinave, të siguruara në bazë të marrëveshjeve të BE-së për blerjen paraprake për partnerët e Ballkanit Perëndimor. Shpërndarja bazohet në nevojat epidemiologjike. Më shumë vaksina do të marrë Bosnjë e Hercegovina – 214.000 doza, Shqipëria – 145.000, Maqedonia e Veriut – 119.000, Kosova - 95.000 dhe Mali i Zi - 42.000 doza. E fundit në këtë listë shpërndarjeje  është Serbia, që do të marrë vetëm  36.000 vaksina, pasi  llogaritet si shteti ballkanik që qëndron  më mirë me procesin e  vaksinimit të popullsisë. Këto vaksina vijnë krahas atyre të siguruara nga COVAX, ku BE-ja është një nga kontribuuesit kryesorë me afër 2.5 miliardë euro nga “Team Europe”.
 
Në tetor, Komisioni vendosi në tryezë një plan ekonomik dhe të investimeve që mund të mobilizojë deri në 28 miliardë euro në grande, garanci dhe hua preferenciale për të nxitur rimëkëmbjen afatgjatë të Ballkanit Perëndimor dhe konvergjencën me BE-në.
 
ZEKIRJA MEXHITI