Botë
Borrell: Liria e medias është ende e kërcënuar
03.05.2021 12:57
Sipas Observatorit të UNESCO-s, 76 gazetarë janë vrarë në të gjithë botën që nga viti 2020 dhe shumë janë arrestuar....

Sipas Observatorit të UNESCO-s, 76 gazetarë janë vrarë në të gjithë botën që nga viti 2020 dhe shumë janë arrestuar, ngacmuar ose kërcënuar. Në një kohë kur raportimi për media të pavarura dhe të lira është më i rëndësishëm se kurrë, liria e mediave është ende nën kërcënim, tha përfaqësuesi i lartë i BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell, me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Mediave.
"Gazetarët ende përballen me kushte të vështira pune, me presion të shtuar financiar dhe politik, mbikëqyrje, burgim arbitrar ose dhunë për të bërë punën e tyre. Dhuna me bazë gjinore ndaj grave është veçanërisht shqetësuese. Liria e informacionit dhe liria e fjalës duhet të promovohen dhe mbrohen kudo. Është në interesin e të gjithëve. BE do të vazhdojë të flasë kundër çdo kufizimi të lirisë së shprehjes dhe censurës, që përbën shkelje të ligjit ndërkombëtar. Liria e medias dhe shtypit është një gurthemel i shoqërive demokratike, të cilat mund të lulëzojnë vetëm nëse qytetarët kanë qasje në informacion të besueshëm dhe kur mund të bëjnë zgjedhje të informacioneve. Liria e medias do të thotë siguri për të gjithë",- ka thënë Borel në kumtesën e publikuar në ueb faqen e shërbimit evropian për aksion të jashtëm.
Liria e medias dhe siguria e gazetarëve janë përparësitë kryesore të planit të ri të veprimit për të drejtat e njeriut dhe demokracisë, si dhe Planit të veprimit për demokracinë europiane. BE ka ndërmarrë një veprim të rëndësishëm në shumë rajone, për të mbështetur gazetarët dhe mediat e pavarura dhe luftën kundër dezinformimit në kontekstin e pandemisë.
GYLTENE SINANI
