Maqedoni

Shtabi i Krizës pro zbutjes së masave, ora policore prej orës 23, kafenetë deri në 22:30

03.05.2021 13:52

Shtabi i Krizës ka mbështetur propozimin e Ministrisë së Shëndetësisë për zbutjen e masave kufizuese....

Shtabi i Krizës ka mbështetur propozimin e Ministrisë së Shëndetësisë për zbutjen e masave kufizuese. Siç bëri të ditur ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe, propozohet që:
- Ora policore të fillojë në orën 23:00 dhe të zgjasë deri në 5 të ditës së nesërme.
- Gastronomia të mund të punojë deri në orën 22:30, por vetëm në tarraca dhe pjesë jashtë objektit, por jo dhe në pjesën e mbyllur të lokalit.
 
Këto propozime të Ministrisë së Shëndetësisë do të shqyrtohen në mbledhjen e së martës të Qeverisë dhe nëse miratohen, ato do të hyjnë në fuqi nga dita e mërkurë 5 maj 2021. Arsyeja për lehtësimin e masave sipas Shtabit të Krizave është përmirësimi i gjendjes me pandeminë, përkatësisht ulja e numrit të infektimeve, pacientëve në trajtim spitalor  dhe rasteve aktive. Siç ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë, numri i përgjithshëm i pacientëve pozitivë dhe të dyshuar me COVID-19 të cilët mjekohen në Repartet Infektive në Shkup dhe në spitalet tjera të vendit është njëmijë e 85, ndërsa ka rreth 757 shtretër të lirë.
 
Gjatë 24 orëve të fundit, në Covid-qendrat e Shkupit janë hospitalizuar 22 pacientë të rinj për shkak të komplikimeve nga virusi Korona, ndërsa vetëm në kryeqendër po trajtohen gjithsej 468 pacientë, një numër i madh i tyre janë me oksigjeno-terapi. Prej të martën fillon vaksinimi masiv anti COVID me vaksinën kineze “Sinofarm”. Përveç në Shkup, punkte për imunizim janë hapur edhe në Kumanovë, Tetovë, Kavadar, Shtip, Ohër dhe Manastir. Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, ka paralajmëruar se deri në fund të majit punkte për vaksinimin masiv do të ketë edhe në Veles dhe në Prilep. Deri tani, në vend janë vaksinuar 61 mijë e 603 qytetarë, ndërsa përmes aplikacionit online janë paraqitur 218 mijë e 577 qytetarë. Këtë javë me vaksinën kineze do të vaksinohen edhe anëtarët e kabinetit qeveritar, përfshirë ministrin e shëndetësisë, Vnko Filipçen. 
 
REJHANE BUSHI METAJ