Maqedoni
Osmani: Kemi qasje pozitive ndaj fqinjëve
03.05.2021 14:20
Kemi përmbushur të gjitha detyrimet për fillimin e negociatave dhe presim që në samitin e qershorit...

Kemi përmbushur të gjitha detyrimet për fillimin e negociatave dhe presim që në samitin e qershorit, BE ta formalizojë vendimin e marsit të vitit të kaluar për hapjen e kapitujve me RMV-në dhe Shqipërinë, ka deklaruar shefi i diplomacisë, Bujar Osmani, pas takimit me homologun e tij në Berlin, Heiko Maas. Sipas tij, vendi është i angazhuar në përmbushjen e reformave, luftën kundër korrupsionit dhe përpjekjet për fqinjësi të mirë, veçanërisht me Bullgarinë.
“Në kontinuitet kemi qasje të sinqertë dhe pozitive ndaj fqinjëve tanë me fokus të veçantë ndaj Bullgarisë. Tashmë kemi formuar edhe Planin-Aksional për ta zgjeruar bashkëpunimin midis dy vendeve në më shumë fusha, ndërsa jemi të gatshëm që të futemi në bisedime thelbësore për mosmarrëveshjet të cilat e ngarkojnë besimin mes dy vendeve. Çelësi të kujtohemi, është në Marrëveshjen për miqësi të nënshkruar në vitin 2017 mes dy vendeve, si kornizë precize politike për zgjidhjen e të gjitha mosmarrëveshjeve të mundshme.”,- tha ministri i jashtëm i RMV-së, Bujar Osmani.
Maas: Mbështesim fuqishëm çeljen e negociatave
Ndërkohë, Gjermania mbetet mbështetës i fuqishëm i RMV-së në rrugën e saj evropiane teksa pret tejkalimin e mosmarrëveshjeve me bullgarinë fqinje që RMV dhe Shqipëria të nisin negociatat me BE-në, theksoi ministri gjerman, Heiko Maas.
“Qeveria federale gjermane është angazhuar mjaft gjatë kryesimit me BE-në, tani mbështesim Portugalinë me kryesimin që të mundet sa më shpejt që të gjendet zgjidhje për çështjet bilateral me qëllim që të hapet konferenca qasëse për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.”,- tha ministri i jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas.
Osmani dhe Maas gjatë takimit kanë konstatuar marrëdhëniet e shkëlqyera ekonomike dhe politike midis dy vendeve edhe pas 28 vitesh marrëdhënie diplomatike.
NAIM RAMADANI
