Botë
Shqipëri, mblidhen firmat për shkarkimin e Metës
03.05.2021 18:00
Mazhoranca ka siguruar 50 firmat e deputetëve për të nisur për herë të dytë, brenda dy vitesh...

Mazhoranca ka siguruar 50 firmat e deputetëve për të nisur për herë të dytë, brenda dy vitesh, procedurat për shkarkimin e presidentit Ilir Meta.
Në dokument prej më shumë 40 faqesh, socialistet rendisin argumentet e tyre, se gjatë fushatës zgjedhore, presidenti ka shkelur Kushtetutën, duke nxitur konflikt politik, deri në përdorimin e armëve.
“Në periudhën para dhe gjatë fushatës zgjedhore, Presidenti i Republikës ka kryer në mënyrë të përsëritur disa akte dhe sjelle që në vlerësimin tonë përbëjnë shkelje të rënda dhe flagrante të Kushtetutës. Këto akte janë bërë shkak për ndasi sociale dhe politike dhe nuk i kanë shërbyer interesit të përgjithshëm të popullit. Me veprimet, sjelljet dhe mesazhet e dhëna në publik, nuk ka garantuar unitetin kombëtar, nuk ka moderuar konfliktin politik, por përkundrazi e ka nxitur në terma të tilla të cilat sollën si pasojë daljen e organizuar të militantëve të partive politike në rrugë duke terrorizuar qytetarët, duke kufizuar lirinë e tyre të lëvizjes dhe lirinë personale deri në kryerjen e konflikteve me armë dhe humbjen e jetës së një personi dhe plagosjen e disa të tjerëve duke përfshirë vënien në rrezik të jetës se efektivëve të Policisë së Shtetit”.
Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, tha se nisma për shkarkimin e presidentit mund të finalizohet nga Kuvendi aktual. Vete kreu i shtetit në reagimet e tij, i ka cilësuar veprimet si shashka të mazhorancës.
LULJETA NDOKA
