Durrës, nis stërvitja e madhe ushtarake e NATO-s

04.05.2021 12:14

Në Portin e Durrësit, ka nisur stërvitja e madhe ushtarake....

Në Portin e Durrësit, ka nisur stërvitja e madhe ushtarake ndërkombëtare, “Defender Europe 2021”.Stërvitja më e madhe ndonjëherë në rajon,  përfshin 28 mijë trupa nga 27 shtete, përfshirë edhe Forcën e Sigurisë së Kosovës, armatën e Maqedonisë së Veriut dhe të Malit të Zi. Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka vlerësuar maksimalisht rolin e Shqipërisë në NATO .

“Roli drejtues i Shqipërisë në këtë stërvitje është domethënëse dhe roli i Shqipërisë në këtë aleancë vetëm rritet. Shqiptarët kanë luftuar pranë nesh krah për krah në konflikte të shumta përreth globit.Kurrë nuk do të harrojmë sakrificat tuaja dhe do tu jemi gjithmonë mirënjohës që kur Amerika ka nevojë për ju, kur aleatët kanë nevojë për ju, NATO është aty dhe Shqipëria është gjithmonë krah nesh” – tha Ambasadorja e SHBA-ve në Shqipëri, Yuri Kim.

Presidenti Ilir Meta,  u shpreh se Shqipëria ndihet e vlerësuar që i është besuar një përgjegjësi kaq e madhe.

“Shqipëria si vend anëtar i NATO-s ndihet e vlerësuar për faktin që i është besuar kjo përgjegjësi madhore e vendit pritës për një nga stërvitjet më të mëdha. NATO është aleanca më e madhe e lirisë në botë, mbështetja ndaj saj është unanime. … Një garanci e forcë është garancia jonë në aleancën Euroatlantike, jam i sigurt që përmes kësaj stërvitje do të tregojmë që jemi të gatshëm të mbrojmë vlerat e demokracisë në Evropë dhe në të gjithë hapësirën Euroatlantike” – deklaroi Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta.

Kryeministri Edi Rama ka falënderuar SHBA-në për përzgjedhjen e Shqipërisë për zhvillimin e stërvitjeve, duke thënë se kjo dëshmon lidhjen e fortë mes tyre.

“Është një moment historik për ne të gjithë që na mbush me krenari dhe me përgjegjësi. Do të qëndrojmë krah për krah jush, që nga pikëpamja numerike nuk mund t’iu ofrojmë shumë, por nga pikëpamja e vlerave që e bëjnë këtë Aleancë unikale për botën tonë, dëshirojmë të jemi gjithmonë e më të denjë dhe të vyer brenda kësaj Aleance” – u shpreh Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Nisjen e stërvitjes ushtarake, kryedemokrati Lulzim Basha e shfrytëzoi për të dhënë një mesazh për idetë për ndryshim kufijsh.

“Kjo stërvitje do t’u tregojë të gjithë rivalëve potencialë të Aleancës se ajo është e gatshme të përballet me çdo agresiopn dhe se vlerat në të cilat ne bashkohemi, janë të pacenueshme. Le të jetë një mesazh i qartë për këdo që ëndërron kthimin e Ballkanit në një fuçi baruti apo në një teatër lojërash territoriale. Në bazë të kësaj Aleance qëndron demokracia.” – theksoi Kryetari i PD-së, Lulzim Basha.

Stërvitja    është e fokusuar në parandalimin e agresionit dhe ndërtimin e gatishmërisë operacionale si pjesë e bashkëpunimit me NATO-n dhe aleatët. Shqipëria është anëtare e NATO-s që nga viti 2009. (Luljeta Ndoka, TVM2)