Maqedoni

Vazhdon bojkoti i pjesshëm i mësimit, VMRO-DPMNE: 25 mijë fëmijë nuk kanë kompjuterë

04.05.2021 13:19

Bojkoti i mësimit në disa shkolla vazhdon teksa në profilet në rrjetet sociale vazhdojnë edhe thirrjet që nxënësit të mos marrin pjesë as në mësimin online....

Bojkoti i mësimit në disa shkolla vazhdon teksa në profilet në rrjetet sociale vazhdojnë edhe thirrjet që nxënësit të mos marrin pjesë as në mësimin online. Megjithatë, drejtorët e shkollave 9 vjecare nuk duan të komentojnë para kamerave nëse mungesa e pjesërishme e nxënësve, është bojkot. Sipas tyre, u takon mësuesve kujdestarë të vendosin nëse mungesat e nxënësve janë të arsyetueshme ose jo. Në shkollat e mesme nuk ka bojkot të mësimit.
 
MASH vazhdon thirrjet drejtuar nxënësve dhe prindërve se bojkoti është në dëm të njohurive të fëmijëve, e kjo humbje në këtë kohë pandemie, ku mësimi zhvillohet në kushte specifike, është e vështirë të kompensohet. Por prindërit të cilët nuk i pranojnë ndryshimet ligjore për digjitalizimin e librave, kërkojnë rishikim të ligjit.VMRO DPMNE akuzon ministren Carovska se ka humbur kontaktin me realitetin.
 
“Carovska harron faktin se mbi 25 mijë fëmijë nuk kanë kompjuter dhe nuk do të jenë në gjendje të arsimohen përmes të ashtuquajturve libra shkollorë interaktivë. Kjo do të shkaktojë pabarazi sociale dhe diskriminim ndaj mbi 25 mijë fëmijëve në vend”. thonë nga VMRO.
 
Përkujtojnë se në asnjë vend europian, nuk ka heqje të librave të shtypur, por akuzojnë Carovskën se po përpiqet të eksperimentojë me procesin arsimor e ky eksperiment taksapaguesve do t’u kushtojë  mbi 120 milion euro. Ndryshimet e reja ligjore parashohin që materialet mësimore nga klasa e parë në të tretën, nxënësit do t’i marrin në formë të shtypur nga shtatori, ndërsa nxënësit nga klasa e katërt deri në të nëntën do të kenë në dispozicion materiale mësimore në formë elektronike, me tendencë që ngadalë të bëhen libra shkollorë ndërveprues. Kjo do të thotë që përveç përmbajtjes në formën e temave dhe mësimeve, do të ketë edhe  teste në formë elektronike për testimin e njohurive.
 
FLORIJE BELULI KAMBERI