Maqedoni
Varhejli sot në Shkup, në fokus të takimeve pandemia dhe vaksinat nga BE
04.05.2021 14:45
Eurokomisioneri për Zgjerim, Oliver Varhelyi, sot do të qëndrojë në Shkup...

Eurokomisioneri për Zgjerim, Oliver Varhelyi, sot do të qëndrojë në Shkup në kuadër të turit ballkanik të nisur një ditë më parë.
Në këtë vizitë në Ballkan, Varhejli me vete sjell edhe sasinë e vaksinave që BE ka financuar për vendet e rajonit për të përcjellë porosinë se Unioni kujdeset për partnerët. Varhelyi do të takohet me kryeministrin Zoran Zaev, ndërsa bashkërisht me ministrin Filipçe do ta vizitojnë pikën vaksinale “Boris Trajkovski” në Shkup.
“Për Maqedoninë e Veriut, BE siguroi rreth 230 milionë euro për pajisje mjekësore si dhe për mbështetjen e pasojave socio-ekonomike nga pandemia”, thuhet në njoftimin e Delegacionit të BE-së në Shkup.
Edhe zëdhënësja e Komisionit Europian, Anna Pisonero, në konferencën e sotme për shtyp në Bruksel, theksoi se shpërndarja e vaksinave të para në Ballkanin Perëndimor nga BE me ndihmën e Austrisë, është mbështetje e qartë e unionit, së bashku me ndihmën financiare të 3.3 miliardë eurove për rimëkëmbjen ekonomike të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Mbi 650 mijë vaksina do të shpërndahen në të gjitha vendet në Ballkanin Perëndimor, nga të cilat 199 mijë në Maqedoninë e Veriut. Shpërndarja e vaksinave bëhet në përputhje me nevojat e secilit vend, dhe dozat janë të destinuara për profesionistët shëndetësorë dhe grupet më të prekshme. Ky është një mesazh i qartë se ne kujdesemi për rajonin dhe se e ardhmja e këtyre vendeve qëndron në Bashkimin Evropian”, tha Pisonero.
Vaksinat janë financuar nga paketa 70 milionë euro që Komisioni Evropian e miratoi në dhjetor të vitit të kaluar.
