Maqedoni

Raporti i antikorrupsionit para deputetëve, qytetarët ankohen nga zyrtarët e korruptuar

04.05.2021 16:55

Personat zyrtar vazhdojnë të jenë personat më të korruptuar në perceptimin e opinionit publik....

Personat zyrtar vazhdojnë të jenë personat më të korruptuar në perceptimin e opinionit publik. Raporti vjetor për punën e Komisionit Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit për vitin 2020 e dëshmon këtë, njësoj si një vit më parë. Edhe pse 2020 ishte një vit epidemie, ndërsa vendi për disa muaj ishte në gjendje të jashtëzakonshme, Komisioni për parandalim të korrupsionit ka pranuar 550 parashtresa për korrupsion. Raporti i antikorrupsionit në shqyrtim para deputetëve në Komisionin për Sistem Politik. 
 
“Rritja e vetëdijes dhe guximit të qytetarëve që të paraqesin veprime të jashtëligjshme dhe parregullsi në punën e personave zyrtarë kontriboi që KSHPK gjatë vitit 2020 të pranojë 550 parashtresa nga qytetarë me dyshim për ekzistimin e sjelljes korruptive, keqpërdorim të funksionit publik dhe konflikt interesi. Ndërkaq, KSHPK me vetëiniciativë formoi 102 lëndë. 378 kanë të bëjnë me korrupsionin, 157 me konfliktin e interesit, etj.”, tha Biljana Ivanovska, kryetare e KSHPK-së.
 
Për opozitën maqedonase, Komisioni për Parandalim të Korrupsionit edhepse ka shumë kompetenca në letër nuk ka asetet e duhura, prandaj vendi është fundosur në luftën kundër korrupcionit.    
 
“Nëse doni që ndonjë institucion ta bëni më pak efikas atëherë, në letër, mund t’i jepni fushëveprim të gjerë të kompetencave, me këtë jepni pritshmëri të mëdha edhe te opinion, por të mos i jepni logjistikën dhe resurset e duhura që të përballet me kompetencat dhe mendoj se ky ka qenë edhe plani i pushtetit.”, tha Antonio Milloshovski ngaVMRO DPMNE.
 
Mirëpo për pushtetin qëndrimi i opozitës është vetëm përceptim, madje qëndrim tendencioz.   
 
“Është e saktë se punët po ndryshojnë, pavërsisht përceptimit që e keni për shtetin dhe cili është shkaku për këtë përceptim.”, tha Sonja Mirakovska, kryetare e KSPMB.
  
Në Raportin vjetor për punën e Komisionit Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit për vitin 2020, thuhet se ky trup ka rishikuar Stretegjinë Nacionale për parandalim të korrupsionit dhe konfliktin e intresit për shkak të mosmiratimit nga përbërja e kaluar parlamentare; ka bërë kontroll antikorrupcion të shtatë ligjeve dhe ka filluar më shumë projekte të përkrahura nga organizata vendore dhe të huaja.
 
SHPËTIM NUREDINI