Sulm vetëvrasës ndaj një veture të Ambasadës britanike në Kabul
Zyrtarët thonë se nga një sulmues vetëvrasës me motoçikletë kundër një veture të Ambasadës së Britanisë në Kabul të Afganistanit, janë vrarë së paku pesë afganë dhe një shtetas britanik, si dhe janë plagosur 33 të tjerë.......

Zyrtarët e policisë dhe të shëndetësisë thanë se në mesin e të plagosurve ishin edhe disa fëmijë.
"Ne kemi pranuar 22 të plagosur dhe pesë persona të vdekur. Në mesin e atyre pesë personave, njëri nga ata nuk është shtetas afgan. Pesë fëmijë dhe dy gra ishin në mesin e të plagosurve dhe për momentin janë në gjendje të mirë shëndetësore”- deklaroi drejtori i spitalit, Noor Agha Akramzada.
"Kur situata pak u qetësua, erdha në vendngjarje, ku kishte shumë trupa të shtrirë, të vdekur dhe të lënduar. I vendosëm ata në vetura dhe i dërguam në spital”- tha dëshmitari, Ahmad Khan.
"Isha i nxënë këtu duke punuar dhe përnjëherë dëgjova një krismë. U shtriva në tokë dhe pashë një numër të madh të trupave pa jetë dhe të lënduar, nuk e dija se cili ishte targeti i tyre”- u shpreh dëshmitari, Nisar Ahmad.
Ministria e Jashtme britanike ka konfirmuar se në mesin e të vrarëve është edhe një shtetas britanik.
“Jam thellësisht i pikëlluar të konfirmoj se një anëtar civil i Ekipit të Sigurisë Kombëtare britanike dhe një shtetas afgan, që ka punuar për ambasadën, janë vrarë në incident”, tha sekretari i jashtëm britanik, Philip Hammond, nëpërmjet një kumtese. (Leunora Kaliqi, TVM2)
