Maqedoni

Eurointegrimi i RMV-së, Varhelyi: Gjeni zgjidhje ose bisedime vetëm me Shqipërinë

05.05.2021 10:39

Komisioneri Europian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi...

Komisioneri Europian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, u shpreh dje se BE-ja mund të çelë negociatat vetëm me Shqipërinë, nëse Maqedonia nuk e zgjidh ngërçin me Bullgarinë. Ai vlerësoi se Tirana i ka plotësuar të gjitha kushtet për konferencën e parë ndërqeveritare.

“Duhet që të gjitha shtetet anëtare në tryezë të pajtohen për këtë, që do të thotë se duhet të gjejmë zgjidhje sa i përket Maqedonisë së Veriut. Nëse është e mundur apo jo ndarja e dy shteteve, ky proces bazohet në meritë. Nëse i shohim arritjet e Shqipërisë, vlerësoj se ata kanë përmbushur të gjitha kushtet. Pra, nëse nuk ka zgjidhje sa i përket Maqedonisë së Veriut, mund të vijë momenti që ne ta konsiderojmë këtë opsion. Shpresoj se nuk do të ndodh një gjë e tillë, ne patëm një bisedë shumë të rëndësishme me kryeministrin Zaev dhe ramë dakord që duhet të bëjmë progres dhe këtë duhet ta bëjmë për të dyja shtetet.”,- tha komisioneri europian për fqinjësi dhe zgjerim, Oliver Varhelyi.

Zaev: Jemi të gatshëm për gjetjen e kompromisit

Sot kryeministri Zaev deklaroi se me Bullgarinë do të arrihet një zgjidhje përmes dialogut. sipas tij,  është interes edhe të palës bullgare që Maqedonia e Veriut të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian.

“Unë shpresoj që edhe pse Bullgaria logjikisht do të shkojë sërish në zgjedhje parlamentare, që gjithsesi do të gjejmë zgjidhje me qeverinë kalimtare që do ta formojë presidenti Radev, sepse presim të jeni politikanë të përgjegjshëm me të cilët do të gjejmë zgjidhje”, tha mes tjerash Zaev nga Resnja.

Bullgaria, në nëntor të vitit 2020, ka bllokuar nisjen e bisedimeve të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut me BE-në, duke e kushtëzuar me arritjen e marrëveshjes në lidhje me kërkesat e saj për identitetin dhe gjuhën maqedonase.

Bisedimet mes dy vendeve po zhvillohen në nivel të ekspertëve, por ende pa epilog konkret. (Meral Ismaili, TVM2)