Botë
OBSh: Javën e kaluar humbën jetën 93 mijë persona
05.05.2021 13:50
Prej dy javësh vdekshmëria nga Kovid-19 po shënon shifra rekorde në nivel botëror...

Prej dy javësh vdekshmëria nga Kovid-19 po shënon shifra rekorde në nivel botëror, bën të ditur Organizata Botërore e Shëndetësisë, sipas të cilës javën e kaluar kanë humbur jetën mbi 93 mijë persona, derisa mbi 5,7 milion njerëz janë infektuar. 45 për qind e të infektuarve dhe 25% e të vdekurve janë regjistruar në Indi.
Ndërkohë, presidenti amerikan, Xho Bajden, ka deklaruar se deri më 4 korrik, në ditën e pavarësisë së SHBA-ve, të paktën me një dozë të vaksinës anti Kovid duhet të jenë vaksinuar 70% e popullatës madhore.
“Siç po futemi në fazë të re, vendosim edhe qëllime të reja. Pas dy muajsh, nga sot familjet në tërë vendin do ta festojnë katër korrikun. Qëllimi ynë është që deri më 4 korrik 70% e amerikanëve të moshës së rritur të marrin të paktën një dozë të vaksinës, ndërsa 160 milion të jenë vaksinuar plotësisht.”,- tha presidenti i SHBA-ve, Joe Biden.
Ai njëherit ftoi të vaksinohen edhe të rinjtë prej 20 deri në 30 vjet. Edhe kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka deklaruar se po përshpejtohet vaksinimi në Evropë. Ajo njëherit ka bërë të ditur se deri tani janë dhënë më shumë se 150 milion doza të vaksinës anti Kovid. Nga ana tjetër, Kompania “Fajzer” ka paralajmëruar se gjatë këtij viti pret që të shesë 1,6 miliard doza të vaksinës së saj anti Kovid, nga të cilat do të përfitojë 26 miliard dollarë.
Deri më tani, 3 milion e 241 mijë e 499 persona e kanë humbur jetën si pasojë e virusit Korona, ndërsa 132 milion e 486 mijë e 566 persona janë shëruar, nga mbi 155 milionë të infektuar. Numri i rasteve aktive në botë është 19 milion e 272 mijë e 837 persona.
REJHANE BUSHI METAJ
