Maqedoni
Filipçe: KSI ka vendosur për lehtësimin e masave
05.05.2021 15:00
Nëse numri i të infektuarve vazhdon të bie, në javën e ardhshme do të ketë edhe lehtësime të reja të masave anti-Covid...

Nëse numri i të infektuarve vazhdon të bie, në javën e ardhshme do të ketë edhe lehtësime të reja të masave anti-Covid, paralajmëron ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe. Ai sqaroi se vendimi për zbutjen e masave, ka qenë në koordinim me Komisionin për Sëmundje Infektive dhe pa ndikime politike.
“Vendimi për zbutjen e masave shtrënguese aspak nuk është politike. Paraprakisht me anë të telefonit u konsultova me anëtarët e KSI-së, të cilët u pajtuan me zbutjen e masave.”,- tha ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
Filipçe: Pjesëmarrja për vaksinim duhet të jetë e lartë
Ministri njëherit apeloi deri tek qytetarët që të regjistrohen në ueb faqen vakcinacija.mk. për t’u vaksinuar, pasi siç vlerësoi ai pjesëmarrja për vaksinim duhet të jetë më e lartë. Gjatë ditës së djeshme nga 9.000 qytetarë që morën termin për vaksinim, vetëm gjysma janë paraqitur për t’u vaksinuar.
“Gjatë ditës së djeshme, nga nëntë mijë qytetarë që morën termine në të gjithë vendin, rreth 4.500 qytetarë janë paraqitur për t’u vaksinuar. Do të përpiqemi sot të shohim dhe identifikojmë problemin. Ndoshta sepse është dita e parë, mbase sepse është fillimi i një sistemi të tillë vaksinimi në vendet për vaksinim masiv në të gjithë shtetin. Sinqerisht, besoj se pjesëmarrja nuk do të jetë më kështu.”,- tha ministri i shëndetësisë, Venko Filiçe.
Ministria e Shëndetësisë u bëri thirrje qytetarëve që morën mesazhe për t’u vaksinuar në një qytet tjetër dhe dje nuk shkuan për t’u vaksinuar, të shkojnë të vaksinohen në vendbanimin e tyre. Tani për tani, zgjedhja e vaksinës nuk lejohet, por të gjitha vaksinat janë të sigurta përveç vaksinës “Astra Zeneka”, e cila nuk u jepet personave nën 60 vjeç, tha ministri. Sipas vendimit të fundit për lehtësimin e masave ora policore fillon nga ora 23, ndërsa gastronomia lejohet të punojë deri në 22:30. Po ashtu në vendim parashihet karantinë 14 ditore për shtetasit e huaj apo të vendit të cilët kanë qëndruar në Indi dhe Brazil, që të pengohet përhapja e llojit të ri të virusit Korona me të cilin po përballen këto vende.
REJHANE BUSHI METAJ
