Profesorë nga Tirana, do të ligjërojnë në Fakultetin e Mjekësisë në USHT
Fakulteti i Shkencave të Mjekësisë i Universitetit Shtetëror të Tetovës, sot përuroi laboratorët e fiziologjisë, patofiziologjisë, imunologjisë dhe hematologjisë, si dhe laboratorin hulumtues–shkencor nr. 2. ......

Rektori i Universitetit Shtetëror të Tetovës, Vullnet Ameti, tha se përurimi i këtyre laboratorëve për USHT-në do të ndikojë në ngritjen e cilësisë në këtë fakultet dhe ka angazhuar një numër të madh akademikësh të mjekësisë shqiptare që do të ligjërojnë në Fakultetin e Shkencave të Mjekësisë.
Rektori i Universitetit të Tiranës, prof.dr. Dhori Kule dhe dekani i Fakultetit të Mjekësisë të Tiranës, theksuan se angazhimi i mjekëve më të mirë shqiptarë në Fakultetin e Shkencave të Mjekësisë në USHT, do të konsolidojë plotësisht këtë institucion akademik.
Me këta laboratorë, Fakulteti i Shkencave të Mjekësisë i Universitetit Shtetëror të Tetovës, e ka mbyllur kapitullin e lëndëve paraklinike sa i përket laboratorëve dhe tanimë studentët do të kenë mundësi t’i mbajnë ushtrimet praktike dhe të njihen me gjërat elementare, lëndët e paraklinikës. (Miftar Emini, TVM2)
