Botë

Vaksina Sinovac, OBSH: Mbron nga Covid-19, por mungojnë të dhënat

06.05.2021 10:27

Vaksina kineze Sinovac është e efektshme në mbrojtjen nga Covid-19 tek të rriturit nën moshën 60-vjeçare...

Vaksina kineze Sinovac është e efektshme në mbrojtjen nga Covid-19 tek të rriturit nën moshën 60-vjeçare, por mungojnë disa të dhëna për rrezikun e efekteve të rënda anësore.
 
Kështu mendojnë ekspertë të pavarur të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, të cilët shqyrtuan të dhënat e siguruara nga faza e tretë e testimit klinik të vaksinës në Kinë, Brazil, Indonezi, Turqi dhe Kili.
Ekspertët citojnë mungesë të të dhënave sa i përket sigurisë dhe mbrojtjes që ofron vaksina te gratë shtatzëna, personat e moshuar dhe ata me sëmundje bashkëshoqeruese. Sipas ekspertëve të OBSH-së, nuk ka të dhëna as për efektet e rralla anësore të zbuluara përmes monitorimit të sigurisë, pas autorizimit të vaksinës. Vaksina e Sinovac është autorizuar në 32 vende, me 260 milionë doza të shpërndara. OBSH-ja po vlerëson vaksinat kineze për autorizim të mundshëm për përdorim emergjent. Edhe Agjencia Europiane e Barnave ka nisur shqyrtimin e vaksinës se Sinovac.