Shkollat e Çairit, manifestim për “Ditën e flamurit”

27.11.2014 18:02

Shumë hare, gëzim dhe krenari u pa në fytyrat e fëmijëve, të cilët përmes këngës, vargjeve e valles shënuan “Ditën e flamurit” në sheshin “Skënderbeu”......

Manifestimi u organizua nga fëmijët e çerdheve dhe shkollave të Komunës së Çairit.        

Fëmijët, të mbledhur së bashku, shfaqën talentin e tyre edhe në garat e sferave të ndryshme, ku nuk munguan edhe shpërblimet.

“Unë quhem Rona Shurdhani dhe jam prej Shkollës Fillore “Ismail Qemali”. Kam marrë vendin e parë te kopertina e librit në Komunën e Çairit. E dua shumë artin, kam qejf të pikturoj”- u shpreh nxënësja e shpërblyer me vend të parë, Rona Shurdhani.

Rabije Loku- drejtoreshë e Kopshtit “Fidani”, theksoi se në këtë ditë, fëmijët më se të lumtur kontribuojnë që në zemrat e mëdha të këtyre fëmijëve të vegjël t’i kenë idealet kombëtare.      

“Kjo është që fëmijët të rriten në këtë frymë feste dhe gjithashtu të jetë tradicionale, sepse në të ardhmen gjithçka mbetet në duart e rinisë, në duart e këtyre fëmijëve”- deklaroi drejtoresha e Kopshtit “Fidani”, Rabije Loku.

Derisa fëmijët sot këndonin lirshëm këngë patriotike, apo edhe himnin kombëtar, prindërit e tyre i shikonin me admirim dhe kujtonin të kaluarën kur vetëm e dinin se është festa e flamurit, por nuk kishin mundësi të festonin.

“Kënaqësi e madhe është t’i shohim së bashku të mbledhur si recitojnë në sheshin “Skënderbeu”, kështu që për mua është kënaqësi”- u shpreh një prind.

“Në kohen tonë veç e kemi ditë se është “Dita e flamurit”. Kësi lloj festa s’kemi pasur, sot ka ndryshuar koha, është mirë”- tha një prind.    

Është e rëndësishme që fëmijët të rriten nën frymën e festave të nëntorit, theksoi edhe kryetari i Çairit, Izet Mexhiti.

"Nëse ne na ka munguar në të kaluarën dhe jemi rritur me këtë mungesë, gjeneratat e reja nuk e kanë këtë pengesë. Kjo është një ndër arsyet që jemi përkujdesur që ata të shijojnë festat e nëntorit, të rriten me festat e nëntorit, duke i kultivuar vlerat, duke i kthyer dhe duke e mësuar historinë tonë të lavdishme, njëherit duke ecë drejt të ardhmes më me dinjitet. Kjo festë dalëngadalë, vit pas viti po shndërrohet në një traditë të mirë në Shkupin e vjetër, në Çair”- deklaroi kryetari i Çairit, Izet Mexhiti.  

28 nëntori, do të mbetet përgjithmonë një ditë e shënuar e historisë sonë shqiptare dhe e përpjekjeve shekullore të kombit tonë për liri, pavarësi dhe paqe. Për çdo shqiptar “Dita e flamurit” është simbol i krenarisë, qëndrueshmërisë dhe unitetit shqiptar. (Belinda Koka-Ademi, TVM2)