Botë

Kosovë, tensione ndërmjet deputetëve të PDK-së dhe VV-së

06.05.2021 13:19

Seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës është përcjellë me tentione....

Seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës është përcjellë me tentione. 

Opozita lëshoi seancën e cila  u karakterizua jo vetëm me tone të forta debate mes deputetëve të Vetëvendosjes dhe PDK-së, por edhe me ofendime. Situata u tensionua  pas deklarimeve të ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvallës e cila tha se fajet që u krijua Gjykata Speciale, i ka PDK-ja dhe ata vetë janë fajtorë që që prijësit e tyre sot gjenden në Hagë. Opozita akuzoi Gërvallën se po fyen luftën e UÇK-së dhe kërkoi shkarkimin e saj të menjëhershëm.
 
Pas tensioneve kryesuesja e seancës, Saranda Bogujevci kërkoi 15 minuta pauzë, por gjatë  lëshimit të sallës nga opozita, në hyrje të sallës së Kuvendit është krijuar sërisht situatë e tensionuar. Kur seanca rifilloi në mesditë, deputetët e PDK-së nuk u kthyhen në sallë por të pranishëm ishin vetëm deputetët e LVV-së dhe ata nga komunitetet, si dhe disa nga ministrat e Qeverisë Kurti. 
 
“Gjykata Speciale në Hagë nuk është e instaluar nga Serbia, por nga ju. Ju jo vetëm që nuk e keni luftuar, por s’keni ndërmarrë asgjë për dënimin dhe gjykimin dhe dënimin e krimeve të pasluftës. Jo vetëm që asgjë nuk keni ndërmarrë, por jeni munduar ta evitoni gjykimin e krimeve në Kosovë dhe ju jeni ata që në këtë formë e keni bërë të mundur Gjykatën Speciale. Ju e keni votuar, ajo s’ka pikuar nga qielli. Ju jeni fajtorë që prijësit tuaj sot gjenden në Hagë.”, tha Donika Gërvalla, ministre e jashtme e Kosovës.
 
"Ajo edhe sot vazhdoi ta fyente luftën e UÇK-së, kauzën tonë për liri dhe pavarësi, ajo i fyeu sot të gjitha gratë e dhunuara, sakrificën më të madhe të kombit shqiptar. Ne si PDK nuk mund të lejojmë që ministrja të flet me narracionin e ndërtuar në Beograd. Fjalimi i saj ishte i njëjtë me pasardhësin e kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviçit pra Ivica Daçiqit. Ne kërkojmë nga kryeministri Kurti që ta shkarkoj menjëherë këtë ministre të papërgjegjshme, e cila në mënyrë të vazhdueshme denigron pjesën më të ndritur të historisë së Kosovës.", tha Abelard Tahiri nga PDK.