Maqedoni
Ajdari: Isen Shabani spiunoi banorët e Vrapçishtit për vendosjen e shqiponjës
06.05.2021 17:28
Deputeti i BDI-së, Berat Ajdari, ka kërkuar sot përgjegjësi morale nga kryetari i komunës së Vrapçishtit, Isen Shabani

Deputeti i BDI-së, Berat Ajdari, ka kërkuar sot përgjegjësi morale nga kryetari i komunës së Vrapçishtit, Isen Shabani, të cilin e ka akuzuar se ka spiunuar dhe akuzuar banorët e komunës së Vrapçishtit për vepra me veprime kundër ligjore.
“Unë, Berat Ajdari, si ish pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, njëjte si të gjithë qytetarët e tjerë shqiptarë në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe jo vetëm, shpreh indinjatë të thellë ndaj veprimit kontrovers të kryetarit të komunës së Vrapçishtit, të cilit i pengon edhe simboli i shenjtë i shqiptarëve, shqiponja dy krenare. Që ky akt të jetë akoma më i turpshëm, Shabani, autoriteteve policore u është drejtuar vetëm në gjuhën maqedonase, duke mos respektuar Ligjin e dygjuhësisë. Kryetari i lartpërmendur duke keqpërdorur pozitën e tij, përmes një shkrese dërguara autoriteteve policore, ka bërë denoncimin e disa banorëve të fshatit Negotinë të komunës së Vrapçishtit gjoja se ata në mënyrë të paligjshme, brenda natës në objektin e komunës në fshatin Negotinë, kanë vendosur shqiponjën dy krenare. Ftoj kryetarët e koalicionit opozitar, Zijadin Sela dhe Afrim Gashi, që të dalin publikisht të sqarohen mbi rastin në fjalë, t’u kërkojnë falje shqiptarëve e njëkohësisht edhe të dënojnë këtë akt të kreut të komunës së Vrapçishtit”, thuhet në reagimin e deputetit të BDI-së, Berat Ajdari.
