Maqedoni
Sot mbahet takimi Pendarovski-Mickoski
07.05.2021 09:42
Sot presidenti Stevo Pendarovski do të presë në takim kryetarin e VMRO-DPMNE-së...

Sot presidenti Stevo Pendarovski do të presë në takim kryetarin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, pas kërkesës së këtij të fundit.
Të dënuarit për dhunën në kuvend për 27 prilli do të jenë tema kryesore në këtë takim, por do të bisedohet edhe për situatën politike dhe ekonomike në vend.
Në paralajmërimin e takimit dy ditë më parë, presidenti Pendarovski vlerësoi se dialogu politik është i rëndësishëm për vendin e sipas tij, është mirë që pas nëntë muajsh u vendos komunikimi i opozitës me institucionin e Presidentit të Republikës . Ky takim sipas Pendarovskit, mund të jetë në drejtim të një dialogu politik më produktiv që aq shumë mungon.
VMRO DPMNE pret që nga takimi i sotëm, ata, të cilët i cilësojnë si mbrojtësit e Kushtetutës më në fund të kenë mundësi për ta dëshmuar pafajësinë. Thonë madje se është koha që Zaev t’i heq duart nga nga gjyqësia dhe prokuroria dhe të dënuarit e 27 prillit për terrorizëm, të marrin drejtësinë e merituar.
Kryeministri Zoran Zaev, tha dje se e mbështet takimin, pasi vetëm dialogu sjell consensus. Përkujtoi se edhe se bisedimet e tij me Mickoskin dhe udhëheqësit e Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës, Zijadin Sela dhe Afrim Gashi, dhanë rezultate.
Kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski njoftoi vitin e kaluar se partia do të ngrijë marrëdhëniet me presidentin pasi Pendarovski vendosi t'i japë mandatin Zoran Zaev pas zgjedhjeve parlamentare.
