Maqedoni
Estoni, zhvillohet takimi Dimitrov – Liimets. Dimitrov: BE të mbajë premtimin, të nis bisedimet me RMV-në
07.05.2021 14:06
Bashkimi Europian të mbaj premtimin dhe tani të nis bisedimet për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Union...

Bashkimi Europian të mbaj premtimin dhe tani të nis bisedimet për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Union, porositi zëvendës kryeministri për çështje evropiane, Nikolla Dimitrov, në Talin të Estonisë. Në takimin e zhvilluar me ministren e jashtme të Estonisë, Eva Maria Liimets, Dimitrov ka ritheksuar angazhimet e vendit në rrugëtimin europian si në fushën e reformave dhe mbylljen e mosmarrëveshjeve dypalëshe. Çdo vonesë e Europës, sipas Dimitrovit, do të shkaktojë pakënaqësitë tek ne dhe do të jetë një test i vërtetë për seriozitetin e Unionit dhe ndikimin e tij në rajon.
“Është veçanërisht e rëndësishme që ky hap i fundit në rrugën tonë, nisja e bisedimeve për anëtarësim, të realizohet tani, në të kundërtën do të shkaktojë pakënaqësi më të mëdha pas ngujimit të gjatë në dhomën e pritjes të BE-së. Para 20 vitesh nënshkruam marrëveshjen e stabizilim asociiimit, jemi vend kandidat për 16 vite dhe akoma nuk kemi nisur bisedimet, kjo krijon ndjenjën e hidhërimit. Maqedonia e Veriut ka arritur shumë ndër vitesh dhe tani është koha që BE të mbajë premtimin.”,- tha zëvendëskryeministri për eurointegrime, Nikolla Dimitrov.
Liimets: Të mbahet konferenca ndërqeveritare me RMV–në
Ministrja Liimets riafirmoi mbështetjen estoneze mbi politikat e zgjerimit të BE-së dhe ardhmërinë europiane të Maqedonisë së Veriut. Ajo theksoi se BE duhet të zbatojë metodologjinë e re dhe të shqyrtojë gjitha mundësitë që sa më shpejtë të mbahet konferenca e parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut.
“Vendi ka përmbushur kushtet e nevojshme për të nisur bisedimet për anëtarësim në BE dhe Estonia mbështet mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut sa më shpejtë të jetë e mundur. Shpresoj se çështjet të cilat pamundësojnë këtë hap, do të zgjidhen së shpejti.”,- tha ministrja për punë të jashtme të Estonisë, Eva Maria Liimets.
Njëkohësisht, në takim, Dimitov dhe Limets kanë biseduar për thellimin e bashkëpunimit në fushën e dixhitalizimit nëpërmjet mbështetjes teknike dhe ekspertëve.
MERAL ISMAILI
