Maqedoni
Filipçe u vaksinua me vaksinën kineze
07.05.2021 14:58
Me vaksinën anti-Covid-19 në vend janë vaksinuar rreth 104 mijë qytetarë....

Me vaksinën anti-Covid-19 në vend janë vaksinuar rreth 104 mijë qytetarë, në mesin e të cilëve është edhe vet ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe. Ministri është vaksinuar me vaksinën kineze “Sinofarm”, ndërsa pas vaksinimit tha se të gjitha vaksinat janë të sigurta dhe efektet anësore janë shumë të vogla, prandaj apeloi te qytetarët që të paraqiten për vaksinim.
“Pandemia na mësoi se duhet të jemi bashkë për të respektuar masat dhe rekomandimet për mbrojtje nga virusi që bazohen në parime universale. Ja edhe tani duhet të jemi bashkë për të vënë si prioritet procesin e vaksinimit, si një nga elementët kyçe me të cilën mund të ndryshohet pasqyra e përgjithshme e pandemisë në vendin tonë. Unë sot e mora vaksinën “Sinofarm” dhe të gjitha vaksinat janë të sigurta për tu përdorur.”,- tha ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
104 mijë qytetarë janë vaksinuar
Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se në 24 orët e fundit në Kovid qendrat në Shkup në trajtim spitalor janë shtruar 34 persona derisa spitalin e kanë lëshuar 49 pacientë të shëruar. Gjithsej në trajtim spitalor në kryeqendër janë 384 pacientë. Numri i përgjithshëm i pacientëve të cilët trajtohen në repartet infektive të kryeqytetit dhe spitaleve të tjera në të gjithë vendin është 883, ndërsa pas stabilizimit të gjendjes me virusin numri i shtretërve të lirë në spital është rritur në 847.
REJHANE BUSHI METAJ
