Maqedoni

Dita e policisë, Spasovski e Pendarovski lavdërojnë policinë

07.05.2021 15:56

Vetëm një polici efikase, e fortë dhe e kënaqur, që punon me kapacitet të plotë dhe legjitimitet...

Vetëm një polici efikase, e fortë dhe e kënaqur, që punon me kapacitet të plotë dhe legjitimitet, jep rezultate pozitive në të gjitha fushat e punës. Kështu ka vlerësuar ministri i brendshëm, Oliver Spasovski, me rastin e shënimit të 7 majit - Ditës së Policisë. Spasovski me këtë rast theksoi se efikasiteti i punës policore dha rezultate konkrete në luftën kundër krimit, kështu, në periudhën nga 1 janari deri më 15 prill 2021, krimet tregojnë një trend në rënie me 9.5 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Policia ka qenë në vijë të parë edhe gjatë luftës për të parandaluar përhapjen e Covid–19, tha ministri.
 
“Treguam se dimë të luftojmë kundër kriminalitetit dhe korrupsionit joselektiv, të renditemi në mbrojtjen e sundimit pa kompromis të ligjeve, sepse qëllimi ynë i përbashkët është zero tolerancë për korrupsionin, zero tolerancë për të gjithë që do të shkelin ligjin. Këto rezultatet ndikojnë edhe në rritjen e besueshmërisë së qytetarëve.”,- tha ministri i punëve të brendshme, Oliver Spasovski.
 
Kreu i shtetit, Stevo Pendarovski, është i kënaqur me punën e policisë. Ai sheh përparim, por beson se reformat duhet të vazhdojnë.
 
“Theks i veçantë duhet t'i kushtohet parandalimit të korrupsionit. Ata duhet të reduktohen në minimumin absolut, sepse kemi plot  raste ku personat e ngarkuar për zbatimin e ligjit kanë qenë pikërisht ata që e kanë shkelur.”,- u shpreh presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski. 
 
VMRO-DPMNE: Në vend të urimeve, Spasovski duhej të dorëhiqet
 
Nga partia opozitare maqedonase, VMRO-DPMNE, thonë se në vend që të uronte policinë, Spasovski duhej të kishte dhënë dorëheqjen për shkak të dëmtimit të reputacionit të këtij institucioni.                                
“Gjatë mandatit të Spasovskit u bë skandali më i madh në Ministrinë e Brendshme, i cili dëmtoi reputacionin e shtetit, sistemin e sigurisë dhe dinjitetin e të gjithë anëtarëve të policisë. Bëhet fjalë për skandalin mega mafioz kur Ministria e Brendshme lëshoi mbi 200 dokumente zyrtare për bosët e drogës, mafiozët, kriminelët, vrasësit, atentatorët dhe terroristët, falë tyre këta njerëz endeshin lirshëm si shtetas maqedonas me identitete të vjedhura në të gjithë botën.”,- thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.
 
SANIJE DURAKU