Besimi: BE, me mesazh për emrin dhe dialogun politik
Në Komitetin e Përzier Parlamentar, eurodeputetët dhe parlamentarët e Maqedonisë në Strasburg kanë vazhduar me diskutimet për sundimin e drejtësisë, reformat në gjyqësi dhe në administratën publike, lirinë e shprehjes, marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore, si dhe zhvillimin ekonomik të vendit.....

Zëvendëskryeministri, Fatmir Besimi, i cili gjithashtu po merr pjesë në këtë forum, pas disa takimeve me përfaqësues të Bashkimit Evropian u shpreh: “Mesazhet janë që dialogu politik duhet të ketë një zgjedhje dhe duhet të realizohet në kuadër të institucioneve të vendit, parlamentit, të ruhen marrëdhëniet e mira ndëretnike brenda vendit dhe gjithashtu edhe një zgjidhje sa më e shpejtë e çështjeve të hapura me fqinjët, nënkuptuar këtu edhe agjendën reformuese në gjyqësor të pavarur dhe jo selektiv dhe media të lira dhe liri të shprehjes në RM-së”.
Deputetët e Maqedonisë, që janë pjesë e delegacionit, kanë ftuar eurodeputetët që të ndihmojnë debllokimin e procesin integrues të vendit. Deputeti, Artan Grubi, tha se kontesti i emrit është pengesa e vetme për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO dhe për marrjen e datës për fillim të negociatave me Bashkimin Evropian. Ai ka ftuar deputetet dhe institucionet e BE-së që të angazhohen drejtpërdrejt në lehtësimin e dialogut midis Shkupit dhe Athinës. Grubi, njëherit ka folur edhe për marrëdhëniet me fqinjët tjerë të Maqedonisë.
Komiteti i Përzier Parlamentar, do të përfundojë pa miratim të rekomandimit të përbashkët. Në vend të kësaj, dy bashkëkryesuesit do të dalin me deklaratë të përbashkët për përmbajtjen e bisedimeve dyditore në Strasburg. (Naim Ramadani, TVM2)
Foto: telegraf.mk
