Maqedoni

Shoqata “Edhe unë jam Mateçi” i dhuroi autoambulancë spitalit të Kumanovës

07.05.2021 18:02

Shoqata “Edhe unë jam Mateçi”, me seli në Bazel të Zvicrës, sot realizoi një akt fisnik e human..

Shoqata “Edhe unë jam Mateçi”, me seli në Bazel të Zvicrës, sot realizoi një akt fisnik e human, duke i dhuruar Spitalit të Përgjithshëm të Kumanovës një autoambulancë.
 
Donacionin e pranoi stafi drejtues i Spitalit të Kumanovës. Nga Shoqata “Edhe unë jam Mateçi” paralajmëruan se së shpejti edhe për Shtëpinë e Shëndetit në Likovë do të dhurojnë një mjet transportues.
 
“Ky donacion - mjet transportues e ka dorëzuar Spitali i Bazelit, kostoja e tij është 40 mijë franga zvicerane, ndërsa për hir të donacionit anëtarët tanë e kanë marrë me 1/3 e çmimit. Pra, vetëm anëtarësia prej 7 personave i ka mbuluar të gjitha harxhimet. Muajin e ardhshëm kemi përgatitur edhe një donacion të ngjashëm, kemi përgatitur edhe për në komunën e Likovës”,- tha Elvis Musliu nga Shoqata “Edhe unë jam Mateçi”.
 
“Jashtëzakonisht është për t’u vlerësuar kjo ndihmë, ne si spital kishim nevojë për këtë donacion pasi që posedonim vetëm 2 autoambulanca aktive për transportin e pacientëve, kjo është një ndihmë goxha e madhe, prandaj e vlerësojmë dhe i falënderohemi”,- deklaroi zëvendësdrejtori i spitalit të përgjithshëm të Kumanovës, Ylber Isufi. 
 
 “Shoqata jonë nuk është e kufizuar të ndihmojë vetëm në Mateç, sepse u kemi ndihmuar edhe shkollave, studentëve, kemi donuar mjete ortopedike më herët, tani e pamë të arsyeshme pasi tek ne janë mungesat e shumta, që edhe Spitalit të Kumanovës t’i dhurojmë një mjet të këtillë, i cili konkretisht u financua nga stafi i shoqatës.”,- theksoi Enver Azizi nga Shoqata “Edhe unë jam Mateçi”.
 
Në kushte të pandemisë, Spitali i Kumanovës nga gjithandej vazhdimisht po i arrijnë donacione për mbarëvajtjen e punës në rrethanat e krijuara.
 
FATLUM AQIFI