Ekonomistët: Mësimi praktik krijon kuadro më cilësorë

27.11.2014 19:44

Për uljen e papunësisë tek të rinjtë, është i nevojshëm arsimimi profesional dhe praktik......

Kjo ishte tema që u debatua sot në tryezën e organizuar nga Shoqata Ekonomike maqedono-gjermane në partneritet me Fondacionin “Konrad Adenauer” dhe Odën e Zanatçinjve të Maqedonisë, në bashkëpunim edhe me Ambasadën gjermane. Në debat u theksua përvoja gjermane.

“Me këtë sistem, ku përfshihet përvoja e punës praktike shumëvjeçare në ndërmarrje dhe institucione, si dhe vizitat në institucione arsimore, kuadrove të reja u mundësohet që nga koha e studimeve trevjeçare të fitojnë përvojë praktike në punë dhe kjo atyre u mundëson përgatitje të plotë për pjesëmarrje në tregun e punës, njëherit paraqet vlerë edhe për kompanitë gjatë punësimit të personave të rinj, që tanimë është profesionalizuar”- deklaroi drejtori i Odës Ekonomike gjermane në Maqedoni, Martin Knap.

Nga Oda e Zanatçinjve të Maqedonisë, theksuan rëndësinë që ka përfshirja e sektorit të biznesit në arsimin profesional.

“Me përfshirjen e sektorit të biznesit në sistemin e arsimit profesional dhe trajnimit, përkatësisht realizimin e trajnimeve të nxënësve nëpër kompani, që e ofron Ligji për Arsim Profesional dhe Trajnim, do të kemi rezultate të cilat do të kontribuojnë që të përgatiten kuadrot për ekonomi dhe të kemi ekonomi më kualitative dhe më konkurruese në Maqedoni”- tha drejtoresha e Odës se Zanatçinjve të Maqedonisë, Olivia Tasiq.

Shfrytëzimin e përvojës gjermane në reformimin e sistemit arsimor profesional e konfirmoi edhe zëvendësministri i Arsimit, Spiro Ristevski, i cili njëherit theksoi se këtij segmenti ministria i kushton vëmendje të veçantë. (Gyltene Sinani, TVM2)