Rruga për Ohër dhe Strugë, në gjendje të mjerueshme
Në pragun e sezonit turistik...

Në pragun e sezonit turistik, infrastruktura rrugore për në qendrat kryesore turistike në vend është plotësisht e pasigurt. Për shkak të ndërtimit të autostradës, "Nënë Tereza", turistët në rrugën për në Ohër dhe Strugë përballen me rrethrrotullime të improvizuara, sinjale të pamjaftueshme të trafikut, dhe me rrugë me gropa dhe të pasigurta. Më kritike është afër Podmolit, ku për më shumë se një vit ka pasur një rrethrrotullim të improvizuar me barriera betoni. Shoferët nga rajoni, si dhe një numër i madh i turistëve, thonë se rrugët janë të rrezikshme.
“Ekziston një problem i madh në këtë rrethrrotullim, ka shumë trafik dhe nuk është i rregulluar. Sigurisht që u pengon të gjithve” – tha një shofer.
“Është kaos por nuk kemi ardhur gjatë kohë. Katastrofë, unë nuk e di se çfarë po ndodh, kjo është bërë prej vitesh, nuk e di pse ende nuk e kanë rregulluar.” – u shpreh një turist.
“Ky rrethrrotullim nuk e ka vendin këtu, kjo nuk është një zgjidhje trafiku" – deklaroi një tjetër shofer.
“Ky ishte një rrethrrotullim i përkohshëm derisa të bëhet mbikalimi, por ja, mbetu kështu” – theksoi një qytetar.
Sipas policisë, rrethrrotullimi afër Podmolit është një zgjidhje e përkohshme deri në ndërtimin e mbikalimit të ri. Kritike është edhe në rrugën Debarcë - Ohër - Strugë, ku vitet e fundit ka pasur dhjetëra aksidente trafiku me shumë viktima.
“Nga fillimi i vitit 2021 deri në prill, në rrugën Ohër-Kërçovë, janë regjistruar 15 aksidente trafiku me 10 persona të lënduar rëndë dhe 1 viktimë, ndërsa, gjatë vitit 2020, janë regjistruar gjithsej 69 aksidente trafiku me 33 persona të lënduar rëndë dhe 2 viktima. Ne apelojmë tek qytetarët që të jenë shumë të kujdesshëm në komunikacion” – tha zëdhënës i SPB Ohër, Stefan Dimoski.
Ndërtimi i autostradës Ohër-Kërçovë ka vazhduar për tetë vite. Destinacioni i gjatë prej 57 km duhej të përfundonte në janar të viti 2018. Sipas ministrisë së transportit, ndërtimi u vonua për shkak të defekteve të projektimit dhe kostot tejkaluan gjysmën e miliard eurove. (Ilmie Zhaku, TVM2)
