Mickovski sulmon Pendarovskin dhe mediat

08.05.2021 17:17

Kreu i VMRO DPMNE –së Hristijan Mickovski....

Kreu i VMRO DPMNE –së Hristijan Mickovski, vetëm një ditë pas takimit me presidentin Stevo Pendarovski e akuzoi atë për dyfytyrësi. Sa u takon të akuzuarve dhe të dënuarve për dhunën në Kuvend, Mickovski thotë se presidenti një qëndrim ka patur në takim dhe një qëndrim tjetër për opinionin.

Pendarovski, hipokrit dhe nën ndikimin e “mediave të LSDM-së”

Sipas tij, e gjithë kjo ndodh për shkak të presionit që mediat e afërta me LSDM-në i bëjnë presidentit.      

“Është i qartë presioni që po bëhet mbi të nga ca “pendë gazetarësh” që janë në komandën e LSDM-së por, edhe nga media ku ndikimi i LSDM-së dhe Zoran Zaevit është i dukshëm. Kjo siç duket ka lënë gjurmë te kryetari Pendarovski. Unë e kuptoj por, nuk mund ta arsyetoj pasi ajo në fakt quhet dyfytyrësi. Një fytyrë për në takim dhe një tjetër para kamerave. Por me rëndësi është që edhe një Pendarovski i shtypur doli dhe tha se, nëse ka dëshmi të reja, edhe ky rast si shumë raste të tjera në të kaluarën, të rishikohet nga fillimi.” – tha Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski.

Reagoi presidenca. “Fakti që pas takimit të djeshëm nuk pati kumtesë të përbashkët dhe as konferencë të përbashkët për media tregon qartë se secili nga bashkëbiseduesit deklaronte qëndrimet e veta dhe vlerësimet për ato ngjarje.” - thuhet në reagim.

Në fakt presidenti Pendarovski, pas takimit me Mickovskin sqaroi se në intervistën e tij paraprake ai ka cituar kornizën ligjore. Përsëriti qëndrimin e prerë se amnistia për persona që kanë bërë ato vepra penale me 27 prill të 2017-tës, nuk vjen parasysh, por u thirr në mundësinë ligjore për rigjykim nëse sigurohen prova të reja  që mund të ndikojnë në vendimin e gjykatës.

Dhuna në Kuvend nga organet e drejtësisë u cilësua si rrezikim terrorist i rendit kushtetues, mirëpo opozita maqedonase vazhdon ta cilësojë si akt në mbrojtje në kushtetutës. Nisur nga ky vlerësim, opozita maqedonase kërkon rigjykim të rastit, siç ndodhi me rastin “Monstra.”, ku në fakt vetëm u rikonfirmua dënimi. (Shpëtim Nuredini, TVM2)