Grubi: Nga Marrëveshja e Ohrit përfituan të gjithë në RMV

09.05.2021 15:20

Marrëveshja e Ohrit në thelbin e saj...

Marrëveshja e Ohrit në thelbin e saj është një vlerë e Bashkimit Evropian dhe është e vetmja marrëveshje e paqes plotësisht e suksesshme, e garantuar nga BE, SHBA, NATO dhe OSBE, e cila është zbatuar plotësisht në pjesën normative dhe ka kontribuar pa mëdyshje në ardhmërinë tonë evropiane.

Kështu ka vlerësuar zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi, në panel diskutimin me temë - 20 vjet pas Marrëveshjes së Ohrit, Maqedonia e Veriut dhe rruga drejt BE-së. Kjo marrëveshje ka kontribuar që Maqedoninë e Veriut ta ndjejë si shteti im ashtu si kryeministri, Zoran Zaev, dhe presidenti Stevo Pendarovski, tha Grubi. 

“Marrëveshja e Ohrit perceptohej vetëm si marrëveshje për shqiptarët, përkatësisht vetëm për të drejtat e tyre, por nga perspektiva e sotme, sidomos nga komunitetet joshumicë, e shohim se të drejtat kanë të bëjnë me të gjitha bashkësitë etnike, përfshi edhe bashkësinë shumicë maqedonase, në komunat ku nuk janë shumicë, si në Tetovë, Gostivar, Dibër, Strugë, Kërçovë, Çair dhe komuna tjera.”,- tha zëvendëskryeministri, Artan Grubi.

Hoxhiç: Koha dhe MO mposhtën elementet destriktive

Me kohën u dëshmua se Marrëveshja e Ohrit u shkaktoi disfatë elementeve destruktive shoqërisë, theksoi zëvendësdrejtori i Agjencisë për Realizimin e të Drejtave të Komuniteteve, Xhelal Hoxhiç.                     

“Shteti asgjë nuk humb pse në letërnjoftimin tim shkruan edhe në gjuhën boshnjake, apo pse unë në ndonjë gëzim familjar, përveç flamurit shtetëror e vendos edhe flamurin boshnjak. Pra, koha dhe Marrëveshja e Ohrit i shkaktoi disfatë elementeve destruktive shoqërisë.”,- theksoi Xhelal Hoxhiç nga Agjencia për të Drejtat e Komuniteteve.                                                                                                       

Deralla: Struktura të caktuara e keqpërdorin MO-në

Xhabir Deralla nga “Civil” tha se në vend ende ka struktura që vazhdojnë ta keqpërdorin Marrëveshjen e Ohrit.

“Ka struktura politike të cilat Marrëveshjen e Ohrit bukfalisht e keqpërdorin për të shkaktuar animozitet te qytetarët në bazë etnike e nëse dëshironi edhe fetare, duke e shfrytëzuar këtë potencial për të mbajtur pushtetin apo të rrisin pushtetin, pasi nacionalizmi ka motiv pushtetin dhe paratë.”,- u shpreh Xhabir Deralla nga Organizata “Civil”.                                                                               

Për ta mësuar perceptimin e qytetarëve për Marrëveshjen e Ohrit, zëvendëskryeministri Grubi tha se është e nevojshme të anketohen qytetarët. (Sanije Kasami, TVM2)