LSDM: Vlerësim pozitiv për procesin e vaksinimit
LSDM me notë pozitive e vlerëson procesin e deritanishëm të vaksinimit...

LSDM me notë pozitive e vlerëson procesin e deritanishëm të vaksinimit dhe masat e qeverisë për t’u përballur me pandeminë.
Duke e pasur parasysh hapjen e punkteve të vaksinimi, përveç në kryeqendër, nga kjo parti procesin e vaksinimit e vlerësojnë të mirëorganizuar edhe në Tetovë, Manastir, Kavadar, Ohër, Shtip dhe Kumanovë.
“Deri më tani në vendin tonë janë vaksinuar mbi 119 mijë qytetarë, nga to 21 mijë 890 qytetarë janë vaksinuar me dy doza të vaksinave. Ndërsa të lajmëruar për vaksinim janë edhe 256 mijë e 346 qytetarë dhe interesimi për vaksinim po rritet nga dita në ditë. Mbi 30 për qind e qytetarëve mbi moshën 70 vjeçare janë vaksinuar së paku me një dozë. Dëshmi se procesi i vaksinimit po ecë mirë, dëshmi janë edhe numrat nga dita e djeshme ku vetëm për një ditë janë vaksinuar 13 725 qytetarë.”,- theksoi deputeti i LSDM-së, Nenad Kociq.
VMRO-DPMNE: Vaksinat, mjet përfitimi për Zaevin dhe Filipçen
Por, nga partia opozitare, VMRO-DPMNE, vazhdojnë të akuzojnë se sigurimi i vaksinave ka qenë mjet për përfitime personale nga dyshja Zaev-Filipçe.
“Sjellja e turpshme e Filipçes dhe Zaevit nuk kanë fund. Filipçe dhe Zaev gjithashtu donin të merrnin para nga blerja e vaksinave. Përsëri një marrëveshje mbi kurrizin e qytetarëve, marrëveshje kjo për të cilën qytetarët paguajnë me jetën e tyre. Kjo dyshe paguanin lehtësisht një avanc prej 7.8 milion euro për kompaninë fiktive nga Hong Kong. Ata thonë se donim të merrnim vaksina për këtë?! Çfarë vaksinash kishin ndërmend të blinin përmes një kompanie fiktive?!. Synimi i tyre ka qenë i qartë, thjeshtë të marrin provizione nga kjo marrëveshje, për të cilën do të japin përgjegjësi.”,- thonë nga VMRO-DPMNE-ja opozitare.
Ashtu si edhe autoritetet shëndetësore edhe nga partia në pushtet kanë vlerësuar se të gjitha vaksinat janë të sigurta dhe apelojnë te qytetarët që sa më shpejtë të vaksinohen me qëllim që vendi të arrijë imunizimin kolektiv dhe jeta t’i kthehet normalitetit. (Fitim Kryeziu, TVM2)
