VMRO-DPMNE: Reforma në arsim nuk paraqet vizion

09.05.2021 15:56

Reforma në sistemin arsimor...

Reforma në sistemin arsimor nuk paraqet vizion, por bëhet fjalë për proces digjitalizimi që kushton miliona euro, thekson opozitarja, VMRO-DPMNE.

Marija Miteva nga kjo parti thekson se për t’u realizuar një proces i këtillë duhet shumë kohë, personel shtesë, por edhe mjete financiare që shteti nuk është në gjendje t’i sigurojë. Akuzoi ministren e arsimit se po manipulon me propozimin për gjoja reformim të sistemit arsimor.

“Reforma në sistemin arsimor nuk paraqet vizion, bëhet fjalë për digjitalizim që do të kushtojë miliona euro në vjet. Për të përfituar nga digjitalizimi, duhet të zhvillohen libra të rinj, të cilët përveç tekstit, do të përmbajnë edhe video, animacione, përmbajtje interaktive, kuize, mësime përmes lojërave me qëllime për mosha të ndryshme, të cilat përveç karakterit edukativ do të përfshijnë domosdoshmërisht edhe karakter argëtues. Për të realizuar një propozim të tillë, ekspertët theksojnë se së pari duhet të shpallen shpallje dhe tenderë në mënyrë që të përgatiten ato libra shkollorë digjitalë, proces i cili është shumë i gjatë. A është në gjendje shteti të sigurojë fonde për hardver dhe softwer, dhe a janë konsultuar psikologët të cilët duhet të japin përgjigje se për cilat mosha është i mirë digjitalizimi për fëmijët.”,- tha Marija Miteva nga VMRO-DPMNE.

Digjitalizimi i librave është pjesë e konceptit të ri arsimor që pritet të startojë vitin e ardhshëm shkollor për klasën e katërt. Parashikohet që këto të fundit do të mësojnë nga librat digjital, ndërsa ata të klasës së parë e deri në të tretën me libra të zakonshëm.

Propozim-ligji për librat e digjitalizuar është tërhequr për t’i dhënë përsëri dritë jeshile nga Qeveria, por këtë herë me yll të Bashkimit Evropian.

VMRO-DPMNE ka njoftuar se do të përdorë të gjitha mekanizmat demokratik për të stopuar miratimin e këtij ligji. Ndërsa ka pasur reagime edhe nga prindërit dhe një pjesë e nxënësve. (Zekirja Mexhiti, TVM2)