Kriza Kovid, ulet numri i personave të hospitalizuar
Shënon ulje numri i pacientëve...

Shënon ulje numri i pacientëve në kovid qendrat e vendit. Në 24 orët e fundit në kryeqytet janë pranuar vetëm 9 pacientë, ndërkohë që ka 350 shtretër të lirë.
Nëpër qytetet tjera të vendit ka gjithsej 436 të hospitalizuar dhe po aq shtretër të lirë.
Numri më i lartë i të hospitalizuarve pas Shkupit me 324, mbetet Kumanova me 53 dhe Shtipi me 52.
Po ashtu gjatë 24 orëve të fundit në mbarë vendin nga 1993 testime të kryera janë regjistruar 135 raste pozitive me Covid-19. Po ashtu janë shëruar 298 pacientë, derisa betejën me Covid-19 e kanë humbur 14 pacientë.
Aktualisht në vend ka 10 mijë e 971 raste aktive me Kovid-19.
Filipçe: Qytetarët të paraqiten për vaksinim
Ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe, ka deklaruar se deri në fund të verës numri i të infektuarve mund të jetë minimal pasi që mund të arrihet imunitet kolektiv me anë të vaksinimit. Ai apeloi qytetarët që të paraqiten për t’u imunizuar.
“Vendosëm t’u japim prioritet atyre që janë paraqitur, andaj edhe u bë një ndarje deri më 30 prill për të gjithë qytetarët rreth 160 mijë që janë paraqitur në ueb faqen për vaksinim. Ata për dy javë, deri më 15 maj do të marrin termin për vaksinim nëpërmjet porosisë apo e-mailit me kohë të caktuar dhe vendin ku duhet të vaksinohen. Andaj apelojmë qytetarët që të paraqiten në ueb faqe që të regjistrohen në sistemin “Termini im” që të mund më tej të krijohen ato prioritete.”,- u shpreh ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
Sipas të dhënave, numri i personave të vaksinuar në vazhdimësi rritet. Vetëm dje janë vaksinuar 11 mijë 857 persona, ndërkohë që në total janë vaksinuar 130 mijë e 878 persona. (Meral Ismaili, TVM2)
