Dimitrov: Momenti i fundit të fillojmë negociatat
Është momenti i fundit që të fillojmë negociatat....

“Është momenti i fundit që të fillojmë negociatat e merituara të anëtarësimit”, deklaroi zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Nikolla Dimitrov, në shënimin e Ditës së Evropës, teksa shtoi se “beteja jonë është në fakt betejë e Evropës me vetveten për të mbajtur fjalën e saj”. Ai njoftoi se do ta shoqërojë kryeministrin në Bruksel dhe se pritjet e tij janë të dëgjojë pozicionin e BE-së mbi integrimin evropian të RMV-së.
“Shumica dërrmuese e vendeve anëtare duan që ne dhe Shqipëria të fillojmë negociatat me BE-në sa më shpejt të jetë e mundur. Nga ajo që kam kuptuar mendoj se ky është qëndrimi i KE-së, i cili tashmë rekomandoi çeljen e negociatave në tetor të vitit të kaluar. Ky është qëllimi ynë dhe ne po punojmë së bashku për atë qëllim. Maqedonia e Veriut i ka përmbushur të gjitha kushtet në përputhje me parimet evropiane dhe fillimi i negociatave është një gjë e merituar. Koha, vitet dhe brezat e humbur, përparimi i treguar në vitet e fundit dhe lidershipi i treguar në zgjidhjen e çështjeve të vështira janë provë nëse mund t’i besojmë BE-së në të gjithë Ballkanin.”,- deklaroi zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Nikolla Dimitrov.
Ndarja e pakos Shkup-Tiranë, Geer: Vendos KE dhe vendet anëtare
Ndërkohë euroambasadori, David Geer, tha se qëndrimi i BE-së është i pastër. Brukseli dëshiron hapjen e negociatave me RMV-në dhe Shqipërinë tha ai teksa u përgjigj edhe për mundësinë ndarjes së Shkupit nga Tirana.
“Lidhur me çështjen e ndarjes së Maqedonisë së Veriut nga Shqipëria, ajo u ngrit gjatë vizitës së komisionarit Varheji. Ai përsëriti se Komisioni Evropian po punon për të caktuar një konferencë ndërqeveritare me të dy vendet, me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Sidoqoftë, ai tha se ende nuk e kemi arritur atë pikë. Sigurisht, ndarja është gjithashtu një çështje për Këshillin Evropian të BE-së. Dhe, sigurisht, janë 27 vendet anëtare që adresojnë atë çështje.”,- u shpreh ambasdori i BE-së në RMV, David Geer.
Zaev: Shtëpia jonë e natyrshme është BE
E në shënimin e 9 Majit kryeministri Zaev tha se qytetarët e vendit janë të bashkuar rreth vlerave evropiane.
“Shteti maqedonas është i bazuar në parimet e drejtësisë dhe lirisë dhe është shtëpia e të gjithë qytetarëve të tij pa përjashtim, të bashkuar dhe unik në zgjedhjen rreth vlerave evropiane. Kjo gjeneratë bëri zgjedhje të palëkundur me anëtarësimin në NATO dhe fuqishëm e ka përsëritur qëndrimin për përparim dhe mirëqenie në familjen evropiane në BE. Shtëpia ynë e natyrshme është BE.”,- tha kryeministri i RMV-së, Zoran Zaev.
Pendarovski: 9 maji na kujton vizionin fisnik të Schumanit
Festimi i 9 Majit na kujton vizionin fisnik të Schumanit për krijimin e një Evrope të bashkuar. Për më shumë se 7 dekada, BE-ja është zgjeruar dhe thelluar. Krijon një hapësirë të paqes, pajtimit, demokracisë dhe të drejtave të njeriut nga kontinenti Evropian, tha Presidenti i RMV-së, Stevo Pendarovski me rastin e Ditës së Evropës. Në Ditën e Evropës dhe Ditën e Fitores mbi fashizmin një delegacion i Qeverisë i udhëhequr nga kryeministri Zoran Zaev, së bashku me ministrin e Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ministren e Mbrojtjes, Radmilla Sekerinska dhe ministren e Arsimit dhe Shkencës, Mila Carovska, vendosën lule të freskëta në varrezat partizane në Butel. (Naim Ramadani, TVM2)
