Jerusalem, përleshje mes palestinezëve dhe forcave të sigurisë

09.05.2021 19:12

Dhjetëra palestinezë janë lënduar...

Dhjetëra palestinezë janë lënduar në përleshjet ndërmjet protestuesve dhe forcave të sigurisë në Jerusalem. Gjysmëhëna e Kuqe palestineze tha më 9 maj se rreth 100 palestinezë janë lënduar gjatë përleshjeve që ndodhën gjatë natës dhe shumica prej tyre kanë pësuar lëndime nga plumbat e gomës dhe granatat tymuese që kanë hedhur forcat e sigurisë.

Policia izraelite tha se 17 oficerë po ashtu janë lënduar. Tensionet janë rritur për shkak të xhamisë Al-Aqsa – që është vendi i tretë i shenjtë në fenë islame – dhe për dëbimin potencial të palestinezëve nga shtëpitë dhe tokat e tyre, ku janë planifikuar që të ndërtohen vendbanime hebrenj.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka mbrojtur veprimin e policisë kundër protestuesve palestinezë pas dy netëve përleshje në Jeruzalem.

Ai tha se Izraeli “nuk do të lejojë asnjë element radikal të prishë qetësinë” në qytet mes shqetësimeve në rritje mbi dhunën.

SHBA, BE, Rusia dhe OKB kanë shprehur shqetësimin e tyre për dhunën. Ka shqetësime në rritje që Marshi vjetor i Flamurit të Ditës së Jerusalemit, i cili tradicionalisht mbledh mijëra të rinj sionistë duke marshuar nëpër Lagjen Myslimane të Qytetit të Vjetër të Jerusalemit Lindor mund të çojë në më shumë dhunë.

Një ish-zyrtar i lartë i mbrojtjes, Amos Gilad, bëri thirrje që marshimi të anulohej.