Indi, brenda 24 orësh mbi 400 mijë raste të reja me Covid-19

09.05.2021 20:04

Në Indi, një nga vendet më të prekura nga pandemia e koronavirusit....

Në Indi, një nga vendet më të prekura nga pandemia e koronavirusit, në 24 orët e fundit sërish janë regjistruar mbi 400 mijë raste të reja me virus. Ministria e Shëndetësisë njoftoi se me vdekjen e 4.092 personave në 24 orët e fundit, numri i viktimave shkoi në 242.362.

Ekspertët paralajmërojnë se numri i vërtetë i vdekjeve dhe rasteve mund të jetë shumë më i lartë se nga shifrat e publikuara. Nga 16 janari kur filloi fushata e vaksinimit janë aplikuar rreth 169 milionë e 440 mijë doza të vaksinës, nuk është arritur ende niveli për të ndaluar pandeminë.

Udhëheqësit europianë:  BE solidarizohet me Indinë për krizën Kovid

Udhëheqësit evropianë u takuan përmes video konferencës me Kryeministrin indian, Narendra Modi, ku për momentin India lufton me një rritje shkatërruese të infeksioneve dhe vdekjeve nga koronavirusët.

“Ne e sigurojmë kryeministrin për solidaritetin tonë dhe mbështetjen me gjithçka që është e nevojshme në këtë moment, gjeneratorët e oksigjenit për ilaçet dhe ventiluesit. Shtatëmbëdhjetë shtete anëtare të BE-së kanë mbështetur me vlerë prej njëqind milion eurosh furnizim që është sjellë në Indi dhe po sillet në ditët e ardhshme në mekanizmin e Mbrojtjes Civile të BE-së dhe ndihma e mëtejshme do të vazhdojë.”,- tha Ursula von der Leyen.

“Ne jemi të gatshëm të ofrojmë mbështetje të mëtejshme. COVID është sfida më e madhe e solidaritetit global në breza, mënyra e vetme se si të imunizojmë popullsinë,  ne diskutuam bashkëpunimin BE-Indi për këtë çështje.”,- u shpreh presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.

Merkel: ShBA të hapë tregun për eksportin e vaksinave

Ndërkohë, kancelarja gjermane, Angela Merkel, edhe njëherë  përsëriti kundërshtimin e saj për një heqje të patentave mbi vaksinat anti COVID-19 dhe i kërkoi SHBA-së të hapë tregun për të mundësuar eksportin e vaksinave dhe përbërësve të tyre.

“Uroj që, tashmë, që një pjesë e madhe e popullsisë amerikane të jetë vaksinuar, ne mund të kemi një shkëmbim falas të përbërësve dhe gjithashtu një hapje të tregut të vaksinave .Bashkimi Evropian gjithmonë ka eksportuar një pjesë të madhe të prodhimit të tij në botë dhe kështu që kjo duhet të bëhet rregull, e thënë kështu.”,- tha kancelarja gjermane, Angela Merkel.

Kompanitë farmaceutike thonë se shtetet më pak të zhvilluara do të jenë më të ngadalshme që të krijojnë kapacitete prodhuese dhe do të jenë në garë për të siguruar materiale për prodhimin e vaksinave, gjë që sipas tyre, do të pengojë procesin e prodhimit. Ata gjithashtu thonë se heqja e patentave për vaksinat do të ketë ndikim në sigurinë e të gjitha vaksinave. (Rejhane Bushi – Metaj, TVM2)