Maqedoni

Zaev në Bruksel: Identiteti maqedonas asnjëherë në negociata

10.05.2021 11:33

Identiteti maqedonas asnjëherë nuk do të jetë temë diskutimi me Bullgarinë...

“Identiteti maqedonas asnjëherë nuk do të jetë temë diskutimi me Bullgarinë dhe kjo njëherit nuk mund të jetë pengesë për bllokim të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut” - ka qenë i prerë kryeministri, Zoran Zaev, në takim me krerët e institucioneve të BE-së në Bruksel.

“Ne jemi të gatshëm  për bisedime dhe besojmë se duhet të kemi edhe një përpjekje në periudhën që vijon, por duhet ta dinë kolegët në Bullgari dhe të gjithë në BE  se për identitetin tonë, as nuk diskutojmë  e as nuk negociojmë  dhe të gjitha përpjekjet e këtilla  do të refuzohen nga pala maqedonase në tryezën e bisedimeve.”,- tha Zaev. 
 
Varheji në Twitter: BE të dakordohet për kornizën negociuese
 
Edhe eurokomesari për zgjerim, Oliver Varheji, është shprehur se çështja e identitetit nuk duhet të jetë arsye për të penguar procesin euro-integrues të vendit. Ai ka theksuar nevojën e aktivizimit të diplomacisë së BE-së për t’u dakorduar në miratimin e kornizës së bisedimeve.
 
“Bisedime të mira me kryeministrin, Zoran Zaev, për nevojën e fillimit të bisedimeve me Maqedoninë e Veriut zyrtarisht. Është me rëndësi që Këshilli i BE - së të arrijë sa më shpejt marrëveshje për kornizën negociuese.”,- theksoi Varheji.
 
Ndërkaq, kryetarja e Komisionit Evropian Ursula fon der Lajen i ka konfirmuar delegacionit të qeverisë se institucioni që drejton ajo do të kyçet edhe më shumë me angazhimin për të mos shtyrë edhe më tej nisjen e bisedimeve, ndërsa ka thënë se qëndron pas mendimit se, RMV dhe Shqipëria duhet së bashku ti vazhdojnë bisedimet me BE-në.
 
Pjesë e delegacionit qeveritar në takimet me zyrtarët e Brukselit ishin edhe ministri i jashtëm Bujar Osmani dhe zëvendëskryeministri për eurointgrime, Nikolla Dimitrov.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU