Botë

Situata me pandeminë në botë, gjendje e rënduar në Indi, në Evropë gjendje stabile

10.05.2021 14:58

Në Indi situata me pandeminë vazhdon të jetë e rënduar....

Në Indi situata me pandeminë vazhdon të jetë e rënduar. Për herë të parë ky vend ka regjistruar 4187 viktima në 24 orët e fundit, duke e çuar në total numrin në 238 mijë e 270. Ndërkohë, shifrat e të prekurve në 24 orët e fundit kanë shkuar në 401 mijë persona. Ndërsa në total në Indi që nga fillimi i pandemisë llogariten rreth 22 milion të infektuar. Shqetësimin e rrit paralajmërimi i ekspertëve shëndetësorë se piku i kësaj vale në Indi nuk do të vijë para fundit të majit. Për dallim nga India, në vendet evropiane gjendja me virusin ka shkuar drejt përmirësimit, prandaj autoritetet e disa vendeve, përfshi Britaninë dhe  Spanjën, apo edhe vendet e Ballkanit, po zbusin masat kufizuese. 
 
Ndërkohë, disa vende evropiane kanë regjistruar rastet e para të variantit indian të virusit Korona. Pas Britanisë, edhe në Francë janë zbuluar rreth 20 persona me variantin indian të virusit Korona. Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka përshkruar variantin indian të virusit si variant që kërkon interesim duke sugjeruar se mutacionet do ta bëjnë virusin më perhapës, të shkaktojë sëmundje më të rënda apo edhe të shmang imunitetin e siguruar nga vaksinat. Nga ana tjetër, përderisa vazhdon vaksinimi anti Covid, Bashkimi Evropian ka vendosur të mos rinovojë kontratën që “Astra Zeneka” të furnizojë me vaksinën e saj pas qershorit. Ky vendim vjen pasi një ditë më parë, Komisioni Evropian me kompaninë “Fjazer-Biontek” nënshkroi një kontratë për 1.8 miliard doza të mundshme deri në vitin 2023. Sa u përket vaksinave, Qeveria zvicerane po planifikon të vaksinojë fëmijët dhe adoleshentët. Për këtë qëllim ka porositur 7 milion dozash të tjera të vaksinës “Moderna” që do të shpërndahen në fillim të vitit të ardhshëm.
 
GYLTENE SINANI