Maqedoni

KSI rekomandon lehtësimin e masave, MPPS propozon shtimin e fëmijëve në çerdhe

10.05.2021 15:48

Komisioni i Sëmundjeve Infektive rekomandon lehtësimin e masave restriktive....

Komisioni i Sëmundjeve Infektive rekomandon lehtësimin e masave restriktive. Komisioni rekomandon që ora policore të fillojë nga ora 24:00 deri në ora 05:00, gastronomia të punojë deri në ora 23:30, kërkohet të hiqet ndalesa për punë për qendrat e fitnesit, rekomandon lejimin e organizimit të ngjarjeve në ambient të hapur dhe të mbyllur, në përputhje me protokollet, me mundësi për të shfrytëzuar vetëm 30 për qind të kapacitetit gjithashtu edhe shtimin e fëmijëve në grupet në kopshte e çerdhe. Ministrja për Punë dhe Politikë Sociale, Jagoda Shahpaska, thotë se kushtet epidemiologjike lejojnë që të ketë më shumë fëmijë në një grup.
 
“Në pajtueshmëri me protokollet nga 21 mijë 480 vende të lira, 15 mijë e 400 fëmijë janë aktualisht në çerdhe. Për shkak të presionit të prindërve dhe nevojës që fëmijët të kthehen në çerdhe dhe për shkak të gjendjes së sigurt epidemiologjike, parashtruam shkresë në bazë të cilit Komisioni për Sëmundje Ngjitëse i rekomandoi shtabit të krizës që numri i fëmijëve në çerdhe të rritet nga 15 në 20.”,- u shpreh ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jagoda Shahpaska.
 
Gjatë kësaj jave parashihen të arrijnë doza të reja të vaksinave, paralajmëroi ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe. 
 
“Sot do të arrijnë 10 mijë doza të vaksinave nga Fajzer nga sistemi për solidaritet i BE-së, sipas paralajmërimeve do të arrijë edhe donacion nga Armata kineze më 15 maj dhe distribuimi i vaksinave do të bëhet në të gjitha punktet e vaksinimit.”,- u shpreh ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.
 
Vaksinimi i popullsisë vijon, 160 mijë qytetarë deri më 15 maj me termin
 
Vazhdon ndërkohë procesi i vaksinimit. Këtë të hënë u vaksinua edhe ministrja Shahpaska, por edhe zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi.
 
“Dua të apeloj deri tek të gjithë qytetarët të cilët janë të regjistruar tek portali vakcinacija.mk, që t’i përgjigjen ftesës së tyre, të vaksinohen, ndërsa ata të cilët akoma nuk janë regjistruar, ta bëjnë këtë. Ju ftoj të gjithëve që të vaksinoheni dhe mos të vonohemi që t’i rikthehemi jetës tonë normale.”,- tha zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi.
 
Ministria e Shëndetësisë bën të ditur se janë vaksinuar gjithsej 107.978 qytetarë. Në portalin vakcinacija.mk janë paraqitur 279.909 persona, ndërsa janë vaksinuar 22.900 qytetarë. Të gjithë qytetarët që kanë aplikuar në vakcinacija.mk rreth 160 mijë qytetarë, deri më 15 maj, përmes sms porosisë, do të marrin termin për vaksinim me orë të saktë dhe pikën vaksinale ku do të aplikohen vaksinat.
 
FLUTURA LATIFI