Maqedoni
"Zhvatja" në apel, mbrojtja kërkon anulim të aktvendimit
10.05.2021 16:09
Në mungesë të ish prokurores speciale, Katica Janeva, në Gjykatën e Apelit u zhvillua seanca publike...

Në mungesë të ish prokurores speciale, Katica Janeva, në Gjykatën e Apelit u zhvillua seanca publike lidhur me ankesat për aktvendimin e gjykatës penale në rastin "Zhvatja ". Avokatët mbrojtës kundërshtuan aktakuzën dhe aktvendimin për rastin në fjalë, duke kërkuar anulimin e aktvendimit dhe kthimin e lëndës në rigjykim.
Ndërkohë, për dallim nga mbrojtja, prokurori nga Prokuroria e Lartë, Dilaver Bekteshi, kërkoi dënim edhe më të lartë si për Janevën ashtu dhe Jovanovskin. Mbrojtja e Janevës tha se në mënyrë ta gabuar është konstatuar gjendja faktike në këtë rast. Pyetën se në çka bazohet keqpërdorimi që i ngarkohet Janevës kur nuk janë gjetur paratë të cilat kanë lidhshmëri me Kamçevin. Gjendja pronësore e Janevës është e njëjtë.
“Realisht shpresoj se Gjykata e Apelit do t’i njohë të gjitha ato gabime që u bënë në procedurën e shkallës së parë dhe se do ta anulojë këtë aktvendim. Ky aktvendim nuk do të mundej edhe të ndryshohet, pasi që ka shkelje thelbësore dhe se të njëjtat do të mund të përmirësoheshin vetëm në ndonjë procedurë të re.”,- theksoi avokati mbrojtës, Delo Kadiev.
Mungesa e dëshmive dhe ekspertizës, si dhe shkeljet thelbësore të procedurës janë pjesë e argumenteve të Jovanovskit.
“Ankesa jonë bazohet në atë se nuk ka asnjë dëshmi elementare, diçka në të cilën duhet të bazohet aktvendimi dhe një gjë e tillë nuk u shpalos gjatë gjykimit në shkallë të parë. Më e rëndësishmja është se nuk ka ekspertizë të cilës do pajisje elektronike, p. sh. telefonit dhe gjithçka tjetër që ka të bëjë me lëndën. Për këtë, kërkesat tona u refuzuan 3 herë. Dëshmitë e Jordan Kamçevit që ka interes të gjykohet Jovanovski u pranuan pa asnjë problem pa u bërë të njëjtave ekspertizë në asnjë moment, ndërsa dëshmitë tona të parashtruara në atë formë u refuzuan në mënyra të ndryshme.”,- theksoi avokati mbrojtës, Sasho Dukovski.
Pas seancës së sotme, Apeli duhet të vendosë nëse do të vërtetojë aktvendimin të ndryshojë apo do ta kthejë lëndën në rigjykim. Për veprën penale keqpërdorim të detyrës dhe autorizimeve zyrtare, Janeva u dënua me 7 vite burg ndërsa Bojan Jovanovski u dënua me 9 vite burg për veprën penale marrje të shpërblimit për ndikim kundërligjor dhe larje parash.
FLORIJE BELULI KAMBERI
