Botë
Përleshje në xhaminë Al-Aksa, 305 të plagosur palestinezë në sulmet izraelite
10.05.2021 17:10
Numri i të plagosurve si pasojë e ndërhyrjes së policisë izraelite ndaj palestinezëve në Mesxhid al-Aksa...

Numri i të plagosurve si pasojë e ndërhyrjes së policisë izraelite ndaj palestinezëve në Mesxhid al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar është rritur në 305. Sipas Gjysmëhënës së Kuqe, 228 të plagosur janë dërguar në spitale, shtatë prej tyre gjendje të rëndë. Pas demonstratës, palestinezët filluan të qëndrojnë në kompleks për ta mbrojtur atë nga bastisjet e hebrenjve. Më pas, policia izraelite, duke bastisur Al-Aksanë, sulmoi palestinezët me gaz lotsjellës, plumba plastikë dhe granata zhurmuese.
Palestinezët, nga ana tjetër, iu kundërpërgjigjën policisë izraelite duke hedhur gurë. Pas katër orësh sulme policia u tërhoq. Grupi palestinez i rezistencës Hamas u bëri thirrje palestinezëve që të dalin në rrugë dhe të përballen me forcat pushtuese izraelite për të shmangur një “masakër të vërtetë’.
“Ajo që po ndodh në Xhaminë Al-Aksa është masakër e vërtetë dhe krim lufte. Ne i bëjmë thirrje të gjithë popullit tanë të dalin në rrugë dhe të përplasen me okupatorët”,- shkroi në reagimin zëdhënësi i Hamas-it, Sami Abu Zuhri.
Për rastin e Palestinës për herë të parë Irani po zhvillon bisedime me Arabinë Saudite, duke thënë se ulja e përshkallëzimit të tensioneve në Gjirin Persik është në interes të të dyja vendeve dhe rajonit.
“Ka pasur bisedime dhe ato kanë qenë në lidhje me çështje bilaterale dhe rajonale. Nuk mund të flitet për rezultatet, por Teherani gjithmonë i ka mirëpritur bisedimet.”,- tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Saeed Khatibzadeh.
Shumë vende me shumicë myslimane reaguan për dhunën ndaj palestinezëve. Presidenti indonezian, Joko Widodo, theksoi se dëbimi i civilëve palestinezë nga shtëpitë e tyre dhe përdorimi i forcës kundër tyre në Xhaminë Al-Aksa nuk mund të injorohet.
"Indonezia dënon akte të tilla dhe i bën thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së të marrë masa për shkeljet e përsëritura të kryera nga Izraeli.",- u shpreh presidenti indonezian, Joko Widodo.
Drejtori i Vakëfit të Mesxhid Al-Aksasë, Sheikh Omar al-Kisëani, nëpërmjet altoparlantëve të Haram Al-Sherifit i bëri thirrje botës islame për ndihmë. Xhamia Al-Aksa është vendi i tretë më i shenjtë në botë për myslimanët. Hebrenjtë e quajnë zonën “Mali i tempullit”, duke pretenduar se aty dikur ishin dy tempuj hebrenj.
FARIJE DAUTI BAKIJU
