Botë
Shqipëri, Rama ofertë Bashës për president të ri konsensual
10.05.2021 17:46
Oferta e Edi Ramës për bashkëpunim me PD, nis me zgjedhjen e një presidenti të ri, konsensual....

Oferta e Edi Ramës për bashkëpunim me PD, nis me zgjedhjen e një presidenti të ri, konsensual. Më në fund kryeministri, Edi Rama, ka folur në terma konkretë për dialogun me opozitën, me ftesën për një emër të ri për kreun e shtetit, duke mos lënë më asnjë pikëpyetje për shkarkimin e Ilir Metës.
"Shkarkimi i Ilir Metës nuk është i gjithi në dorën tonë dhe këtë e dimë. Por në do të bëjmë gjithçka kemi në dorë për ta çminuar institucionin e Presidentit duke votuar në bllok shkarkimin. Dua ta bëj të qartë se ky shkarkim nuk ka lidhje me asnjë motiv tjetër përveç pozicionimit tonë publik në anën dërrmuese të shqiptarëve. Është shumë herët për të folur për zëvendësuesin, por në çdo rast, qoftë para apo në kohë, në varësi se si do të shkojë procesi ne do të konsultohemi me PD për emrin e Presidentit të ri.", tha kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Ftesën Edi Rama e artikuloi në mbledhjen e parë me deputetët socialistë pas zgjedhjeve të 25 prillit, ku njoftoi zëvendësim në parti, për kandidatët që nuk arritën objektivin.
Por, Partia Demokratike, në një reagim për mediat, e ka cilësuar ofertën e kryeministrit, si diversion, duke deklaruar se nuk do të ndalet beteja për të faktuar shitblerjen e votave më 25 prill.
LULJETA NDOKA
