Historianët: “28 nëntori”, 1912, ngjalli ndjenja të dyfishta

28.11.2014 15:32

Njëqind e dy vjet më parë, më “28 nëntor” të vitit 1912, në Vlorë, shpallet Pavarësia e Shqipërisë......

Shqipëria, në vitin 1912 nënkuptonte një territor shumë të madh. Shqiptarët në këtë ditë e gjetën veten të pushtuar nga të gjitha anët.

Vlora ishte i vetmi vend i sigurt ku mund të shpallej pavarësia për tokat shqiptare, të ndara në katër njësi administrative të Perandorisë Osmane, që këtë vit u mund nga fuqitë e Ballkanit. Prandaj, “28 nëntori”, 1912, është edhe ditë pikëllimi.

Shqiptarët që jetonin në të ashtuquajturin Vilajeti i Kosovës, Vilajeti i Shkodrës, ai i Janinës dhe i Manastirit u shkelën dhe u vranë në trojet e tyre. Pjesa më e madhe e tyre u pushtuan, tokat e tyre u bënë pjesë e Greqisë, Serbisë dhe të Malit të Zi. Prandaj, “28 nëntori”, 1912, ngjallë ndjenja të dyfishta, të mira e të këqija, të ëmbla e të hidhura.

Por,  shteti i sotëm që ne e njohim si Shqipëri, ashtu siç ishte, e mbajti gjallë identitetin tonë kombëtar. Kjo Shqipëri e cunguar ishte shpresa jonë se do të vinin ditët më të mira; ishte forca që na bënte të besojmë se nuk jemi vetëm edhe atëherë kur ishim; ishte ndjenja që na bënte të ngrihemi edhe atëherë kur nuk mundeshim.

Shqiptarët vazhdojnë të jetojnë të ndarë. Kosova është pavarësuar,  por ndryshe nga ajo që më 1912 perceptohej si Kosovë. Të tjerët shqiptarë vazhdojnë të jetojnë në Mal të Zi, në Serbi, në Maqedoni e në Greqi, duke e vazhduar me metoda më paqësore  t’i kërkojnë të drejtat që u takojnë për dinjitetin e tyre. Këtë e konfirmon edhe historiani, Shyqeri Xhaferi, sipas të cilit, territori shqiptar në shekullin e 19 ka pasur 90 mijë e 170 km katror, prej atyre kanë mbetur 29 mijë kilometra katror, territoret tjera kanë mbetur jashtë këtij territori.   

“Shqiptarët, që kemi mbetur në Maqedoni, Kosovë, Serbi dhe Mal të Zi natyrisht se faktori ndërkombëtar nuk dëshironte një shtet të madh, por “Dita e flamurit” natyrisht se është një ditë e madhe edhe për ne, por të themi me rezervë se ne kemi mbetur jashtë atij shteti shqiptar”- deklaroi historiani, Shyqeri Xhaferi.  

Përdorimi i flamurit kombëtar si në të gjitha trojet tjera respektohet edhe në Maqedoni.         

“Tash me këto ligje të reja në Maqedoni, në disa komuna kemi të drejtë të përdorim flamurin kombëtar. Në disa komuna ku s’kemi të drejta fare, nuk jemi duke e respektuar këtë dhe natyrisht e terë Maqedoni, viset shqiptare janë të mbuluara me flamuj” tha Xhaferi.                                                            

Pozita e shqiptarëve në Ballkan, sot është shumë më e mirë se e paraardhësve tanë në vitin kur u shpall pavarësia, por edhe shumë vite më pas. Andaj, “28 nëntori” është dita që na kujton idealin për të qenë të lirë e të lumtur në tokat tona. E këtu, pashmangshëm vjen në kujtesë thënia e luftëtarit të madh të çështjes kombëtare, Isa Boletinit: “Unë jam mirë, kur asht’ mirë Shqipëria”. (Flutura Latifi, TVM2)