Zgjerimi i BE-së, mblidhet Këshilli i Çështjeve të përgjithshme të Unionit
Ballkani Perëndimor zë vend kryesor në axhendën e BE-së...

Ballkani Perëndimor zë vend kryesor në axhendën e BE-së. Javën e ardhshme liderët e Ballkanit Perëndimor do të takohen në Bruksel, ku do të diskutohet pikërisht për përspektivën e rajonit.
Çështjet e zgjerimit të BE-së dhe Procesit të Stabilizim-Asociimit, janë pjesë e takimit këtë të martë të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të Unionit. Për Ballkanin Perëndimor diskutuan të hënën edhe Ministrat e jashtëm të BE-së.
Edhe përkundër deklarimeve, nuk ka asnjë qëllim për të ndarë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në procesin integrues drejt BE-së.
“Ne duam të përshpejtojmë procesin e pranimit dhe nuk kemi ndërmend të ndajmë Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë . Kishte një marrëveshje në Këshill që procesi i reformave të lidhura me BE-në në rajon, duhet të përshpejtohet" – tha Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell.
Për në tetor të këtij viti, do të mbahet edhe Samiti i jashtëzakonshëm i BE-së ku temë kryesore do të jetë zgjërimi me vendet e Ballkanit Perendimor.
Këtë e potencoi nga Athina edhe Kryeministri Slloven Janez Jansha, vend i cili në do të jetë kryesues me BE.
“Sllovenia e konsideron zgjerimin e Bashkimit Evropian me Ballkanin Perëndimor si një përparësi kryesore për presidencën tonë. Ne synojmë të organizojmë një konferencë të jashtëzakonshme midis vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Kjo konferencë do të mbahet në Slloveni në tetor. Ne duhet ti trajtojmë nga një këndvështrim tjetër këto çështje, në mënyrë që t'u japim këtyre vendeve një perspektivë evropiane dhe një qëllim të vërtetë, të cilin shpresojmë që do të përmbushet më herët sesa parashikimet e bëra një vit më pare” – u shpreh Kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha.
Më 5 Maj Këshilli Evropian i ka rekomanduar vendeve të BE-së vazhdimin e negociatave të integrimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. (Fitim Kryeziu, TVM2)
