Akademi solemne në USHT për “28 Nëntorin”

28.11.2014 15:59

Me rastin e festës së 28 Nëntorit – “Ditës së Flamurit Kombëtar dhe Pavarësisë së Shqipërisë”, Universiteti Shtetëror i Tetovës mbajti akademi solemne për nder të kësaj dite të shenjtë për shqiptarët.......

Prorektori për bashkëpunim ndërkombëtar i Universitetit Shtetëror të Tetovës, prof.dr. Arbër Çeliku, theksoi se po t’i referohemi historisë së më pasme dhe historisë më të re, përpara sysh na shfaqen imazhe të trishtueshme, si copëtimi i trojeve etnike, dyndje, ekzekutime dhe vrasje masive gjatë dy luftërave ballkanike, persekutime, internime dhe diferencime gjatë kohës së errët të komunizmit, megjithatë ideali për liri, demokraci dhe atdhedashuri nuk u shua kurrë.

“Shënimi i kësaj dite të bekuar për të gjithë shqiptarët kudo që ata jetojnë, paraqet një ndjenjë dhe emocion të veçantë, të manifestuar me organizime madhështore dhe me valëvitjen e flamurit kuqezi me shqiponjën dykrenore nëpër të gjitha viset e trojeve etnike dhe nëpër qendrat më të mëdha evropiane dhe botërore, për të shprehur lirinë dhe atdhedashurinë, paqen dhe solidaritetin, dashurinë dhe respektin për të gjithë atdhetarët dhe patriotët, të cilën flijuan gjithçka për të mirën e brezave të rinj. Shënimi dhe festimi i kësaj dite, gjithsesi se nuk do të kishte qenë i mundur po të mos kishim Skënderbeun, heroin tonë kombëtar, i cili para 7 shekujsh i bëri zap ushtritë turke nga trojet tona dhe e ngriti lart flamurin tonë kombëtar në zemër të Shqipërisë, në Krujën legjendare, simbolin e autoktonisë dhe qëndresës tonë kombëtare”- deklaroi prorektori për bashkëpunim ndërkombëtar i USHT-së, prof.dr.Arbër Çeliku.

Historiani, doc.dr. Ziqirija Rexhepi, vlerësoi se “28 Nëntori” është simbolikë e qëndresës, pathyeshmërisë, ëndrrës jetike të shqiptarëve për të qenë të lirë, për të krijuar shtetin e tyre të pavarur.

“Simbolikë kjo e pazëvendësuar ndër shekuj derisa u bë realitet më 28 Nëntor, 1912. Festa e Flamurit – “28 Nëntori”, u shndërrua në monument të lirisë kombëtare bashkë me Ismail Qemalin, vigjilentin e qytetin heroik-Vlorës. Kjo festë u përket të gjithë shqiptarëve, duke i bërë që të ndihen krenarë për etninë e tyre. Sot, feston Shqipëria, festojnë të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen dhe kjo është ngjarja më e bukur që na bashkon nën një flamur, duke qenë festa më e madhe në historinë e kombit shqiptar”- tha historiani, doc.dr. Zeqirja Rexhepi.

Kjo akademi solemne u përcoll edhe me një program artistik nga studentët e Fakultetit Filologjik të Katedrës Gjuhë dhe Letërsi Shqiptare dhe të Fakultetit të Arteve nga Katedra e Muzikës. (Miftar Emini, TVM2)